Çalhanoglu drejt largimit nga Interi, Galatasaray shumë pranë marrëveshjes
Mesfushori turk, Hakan Çalhanoğlu, duket gjithnjë e më pranë një largimi nga Interi, me destinacion të mundshëm Galatasaray-n. Sipas raportimeve të fundit nga Turqia, transferimi i regjisorit është pothuajse i mbyllur.
Kontrata aktuale e Çalhanoglu me klubin zikaltër skadon në vitin 2027, por negociatat për rinovimin nuk kanë ecur në drejtimin e duhur. Interi nuk është i gatshëm të konfirmojë pagën aktuale prej rreth 6.5 milionë euro neto në sezon dhe ka propozuar një zgjatje me kushte më të ulëta financiare. Kjo situatë ka hapur derën për një largim të mundshëm gjatë merkatos së verës.
Nga ana tjetër, Galatasaray po ndjek me interes situatën dhe është gati të rikthejë mesfushorin në atdhe. Një rol të rëndësishëm në këtë histori kanë edhe deklaratat e Taner Karaman, drejtues dhe opinionist turk, i cili ka dhënë një sinjal shumë të fortë për përfundimin e marrëveshjes.
Në një intervistë për ASpor TV, Karaman u shpreh: “Në 99% të rasteve, Çalhanoglu do të veshë fanellën e Galatasaray-t sezonin e ardhshëm. Ai 1% i mbetur është vetëm sepse mungon firma, por lojtari e ka dhënë fjalën e tij”.
Nëse ky transferim finalizohet, do të ishte një rikthim i rëndësishëm për futbollin turk dhe një humbje e ndjeshme për Interin, duke qenë se Çalhanoglu ka qenë një nga shtyllat kryesore të mesfushës në sezonet e fundit.