Kontrata e errët e TEC-eve të Vlorës, eksperti Ferruni zbulon mashtrimin që po i kushton miliona Shqipërisë

Një investim prej dhjetëra milionë eurosh për dy Termocentrale (TEC) lundruese në Vlorë, të cilat prodhojnë vetëm 30 minuta energji në muaj, po kthehet në një aferë të përmasave të mëdha. Eksperti mjedisor Lavdosh Ferruni, e cilëson të gjithë operacionin si një “paradoks” dhe “nonsens të jashtëzakonshëm”, duke ngritur akuza për korrupsion dhe mashtrim që po u kushton taksapaguesve shqiptarë shuma marramendëse.

Sipas ambientalistit Ferruni që ishte i ftuar ne edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, paradoksi qëndron në faktin se TEC-et u morën me qira në vitin 2022 për të zgjidhur një krizë energjetike të shkaktuar nga rritja e çmimeve të karburanteve, ndërkohë që vetë këto anije funksionojnë me naftë. Kostoja totale e kontratës dyvjeçare arrin rreth 68 milionë euro, ndërsa për prodhimin minimal prej 30 minutash në muaj, fatura mujore shkon në 2.8 milionë euro. “Nuk është zgjidhje përballimi i krizës që vjen nga fosilet, nëpërmjet një vepre që prodhon energji nga fosilet”, thekson ai.

Dyshimin për një aferë korruptive e shton një detaj problematik në kontratë. Vetëm dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së qirasë, asaj i është shtuar një amendament që i jep të drejtën Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) të blejë dy TEC-et pas përfundimit të kontratës. Sipas Ferrunit, ky veprim tregon një plan të paramenduar, ndërsa çështja ka qenë nën hetim nga SPAK prej një viti, por pa një rezultat konkret deri më tani.

Eksperti paralajmëron se gjiri turistik i Vlorës rrezikon të kthehet në një “varrezë TEC-esh”, duke bllokuar portin turistik dhe zhvillimin e zonës.

Arnold Kariqi: Do të jemi tashmë në hapësirën e intervistës për t'u fokusuar tek situata ekonomike në vend që paraqitet sa i përket pikërisht asaj që po ndodh me tecet lundruese, sigurisht edhe situata me lindjen e mesme, mungesat që vijnë për shkak të luftës atje, qoftë të naftës, por qoftë edhe të energjisë, kanë alarmuar shumë prej vendeve të Bashkimit Europian duke kërkuar rezerva dhe mundësi të tjera ë burimesh. Unë kam të ftuar nëpërmjet lidhjes live, Lavdosh Ferrunin, ekspert mjedisor, ambientalist. Zoti Ferruni, përshëndetje.

Kemi marrë shkas nga ajo çka e kemi nxjerrë, e kemi sjellë disa herë në vëmendje, atë që po ndodh me investimin, milionat e eurove të shqiptarëve që shkojnë për tecet lundruese të famshme, tigrat e zonjës Belinda Balluku, ku ka patur dhe një reagim ditën e djeshme nga ambientalistë, por jo vetëm, sa i përket asaj çka këto tigra, prodhojnë. 30 minuta në muaj dhe paguhen plot 2 milionë dollarë në muaj. Për çfarë shërbejnë….

Lavdosh Ferruni: Kjo është pyetje e bukur që bëni ju, është një paradoks i vërtetë. Pra jemi në një krizë energjitike, në shkallë globale, e ngjashme me atë të katër viteve më përpara që ishte lufta në Ukrainë, tani mbas katër vjetësh jemi në të njëjtën situatë pak a shumë, krizë për energjinë, është çështja që diskutohet kaq shumë dhe normalisht duhet që në këtë krizë këto TEC-e që janë marrë me qira, duhet të ishin në punë edhe të zgjidhnin problemet e shumta që ka kriza globale edhe që afekton dhe Shqipërinë në një farë mënyre. Shumë pak e afekton realisht. Por, kthehemi prapë në 2022-shin që ishte krizë energjitike dhe u morën këto TEC-e lundrues për të zgjidhur krizën. Kjo është totalisht e çuditshme se kriza ishte për energjinë, për naftën, rritjen e çmimit të naftës dhe në atë kohë qeveria vendosi që të ta zgjidhi çështjen që ishte shkaktuar nga rritja e çmimit të naftës duke marrë një TEC që punon me naftë. Pra, domethënë, kjo është paradoksi më i jashtëzakonshëm që është evident edhe sot, që është më e kuptueshme edhe sot. Pra, nuk është zgjidhje çështja e përballimit të krizës që vjen nga fosilet, nëpërmjet një vepre që prodhon energji nga fosilet. Pra është nonsens i jashtëzakonshëm. Dhe duke u nisur nga nonsensi, pastaj mund të evidentohet edhe korrupsioni evident.

Ne e kemi që para se të bëhej kontrata në 2024-ën, në prill, në katër prill, madje katër vite më përpara, që u bë kontrata. Kemi bërë një koment dhe kemi kundërshtuar që atëherë, në mënyrë konsistente qenë nga marsi i 2022-shit. Tani sot, sfida është tjetër gjë. Paratë kanë ikur, 68 milionë afërsisht, unë e kam llogaritur vetëm kostoja e qirasë dhe pagesa e personelit, domethënë kostot e tjera, 68 milionë që tashmë pothuajse kanë mbaruar ose do kenë mbaruar, mund t'i kenë parapaguar. Këtë nuk e di akoma. Tani ka një sfidë të madhe, meqë mbaron kontrata në gusht, mbushën dy vjet që nga 2024. Ajo do të fillonte punë që në 2022-shin dhe 2024 mbaroi. Tani ju e dini që dy vjet ndenjën kot aty, bllokuan atë portin turistik në Vlorë. Tani 2024, 2026, mbaron kontrata tani. Dhe sfida e qytetarëve shqiptarë sot është, a duhet të rrinë më akoma ato aty, apo duhet t'i marri ai që i ka dhënë me qira? Kjo është sfida. Dhe, ajo që është korruptive, për mendimin tim, korruptive në dizenjim, në hartim, jo korruptive vetëm fakti i marrjes së parave, që dy ditë mbas... Më fal, dy ditë mbasi u bë kontrata në 4 prill për marrjen e qirasë të dy anijeve lundruese, është bërë një amendament në kontratë, që këto do t'i shiten KESH-it mbas dy vjetësh që mbaron qiraja, do i shiten KESH-it. Pra, normalisht, KESH-i i ka blerë sipas kontratës këto dy dhe do t'i ketë aty edhe për, nuk e di, 20 vjet apo kështu me radhë. Dhe meraku është, do ngelet gjiri i Vlorës, gjiri turistik i Vlorës, një varrezë e TEC-ve? Se kemi dhe TEC-in tjetër këtu që është që ka gati 15 vjet aty që është fosile

Arnolad Kariqi: Pra mund të themi se ishte një investim i kotë që nuk përfitoi asgjë Shqipëria, vendi?

Lavdosh Ferruni: Pa dyshim që ishte investim i kotë, totalisht, kjo nuk diskutohet. Problemi është tani tjetër gjë, a do ta ndotim gjirin e Vlorës me këto vepra fosile, me këto hekurishte që kanë bllokuar portin turistik të Vlorës, do t'i lëmë aty, apo do të gjejmë një zgjidhje sipas kontratës fillestare që të largohen ato që aty? Dhe ai gji i bukur turistik të kthehet qytetarëve, ta gëzojnë, të bëhet plazh e kështu me radhë. Po aty ngjitur me këtë, 20 metra larg është, është porti i jateve, i anijeve dhe të vogla turistike që bëjnë atë guiden për Sazan, për Karaburun e kështu me radhë, shumë shumë interesante. Shumë interesante, por ngjitur me të është kjo gërdalla e tmerrshme, domethënë që është edhe e shëmtuar mbi të gjitha aty, që duhet të hequr nga ai vend. Domethënë kjo është sfida dhe problem, si ambientalist dhe si qytetar në radhë të parë.

Mendimi që duhet larguar është mbi bazën e kontratës. KESH-i duhet të bëjë një lloj mea culpa, domethënë ta kuptojë që zonja që e drejton KESH-in tani, Viola Haxhiademi, është, është aty jo për të, firmosur praninë edhe në bazë të qiramarrjes, të kësaj vepre të panevojshme. Ajo duhet si drejtuese e KESH-it të reagojë. Dhe ajo që duhet të kërkojë është anulimi i kontratës shtesë, anulimin e kontratës, e amendamentit të kontratës zyrtarisht, apo verbalisht apo duke bërë lobing, apo nuk e di se si, që të largohet që aty. Duhet, është detyrë e saj që të largohet. Natyrisht, ajo mund të thotë që nuk më duhet gjë mua se këtë e ka firmosur Ergys Verdho, në atë kohë ish drejtori i KESH-it që tani është drejtor në një vend tjetër. Pastaj erdhi Erald Elezi dhe ai tani firmosi që TEC-i është në gjendje pune dhe punon mirë, edhe pse nafta e përdorur nga nga ky TEC lëndrues, ne e kemi argumentuar që është, e kemi thënë edhe në gjykatë, në kundërshtim me kontratën. Duhet të ishte naftë, naftë që quhet me përqindje të ulët squfuri dhe realisht është një naftë D1, një naftë që e përdorin makinat e zakonshme…