Magjari i Budapestit kundër qeverisë dhe ‘Magjarët’ e Tiranës kundër opozitës

Në mes të marsit, një nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e studimeve për demokracinë, e shpalli Shqipërinë një autokraci elektorale.

Ditën që V-Dem arriti në konkluzionin tronditës për Shqipërinë, një portal kosovar i specializuar në fushën e statistikave, bëri konstatimin interesant. Sipas tyre, hera e fundit kur Shqipëria ishte klasifikuar si autokraci elektorale, pra një diktaturë autoritare, ishte në vitin 2004. Kjo ishte shuplaka më e rëndë ndaj tezës më të ndyrë që kanë përhapur socialistët ndër dekada, se demokratët janë humbës të këqij, të cilët nuk e pranojnë rezultatin. V-Dem i tregoi qartë mbarë botës se Shqipëria zhytët në diktaturë elektorale sa herë që socialistët kanë pushtetin, pasi janë mjeshtrat e farsave elektorale.

Sigurisht në botë ka shumë institute dhe organizata që bëjnë klasifikime, por V-Dem është e vetmja që ka meritën se i ndan shtetet e botës në dy kategori, në diktatura dhe në demokraci. Në vendet demokratike përfshihen shtete si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, për të përmendur disa vende të rajonit tonë. Kurse në vendet diktatoriale përfshihen Shqipëria e Edi Ramës, Serbia e Vuçiçit dhe Rusia e Putinit.

Pikërisht këta njerëz që bënë gjithçka për të groposur këtë lajm kaq të rëndësishëm, janë hedhur tani në sulm në mediat sociale pas verdiktit të zgjedhjeve në Hungari, për të promovuar sa më shumë modelin e Peter Magjarit.

Por në këtë zell të përbindshëm për të komentuar gjithçka sipas orekseve të Edi Ramës, ata harrojnë gjënë më të rëndësishme. Hungaria e Viktor Orban zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fund të ditës, ishte vetë Orban që pranoi humbjen e thellë dhe deklaroi se do të jetë në opozitë për të mbrojtur interesat e vendit të tyre.

Hungaria e ndryshoi qeverinë pikërisht në kohën kur e gjithë e majta në kontinent dhe matanë oqeanit ishte hedhur në sulm për të treguar se Orban nuk do të lëshojë pushtetin dhe do zhvillojë një farsë elektorale.

E megjithatë, krye-thagma e këtyre lëpirësve të pushtetit është ajo se Magjar u shkëput nga partia e Orban për të fituar zgjedhjet.

Magjari i Budapestit u distancua nga pushteti duke sakrifikuar edhe familjen, 'magjarët' e Tiranës punojnë ditë e natë kundër opozitës.

Magjari i Budapestit e sulmoi pushtetin, 'magjarët' e Tiranës ushqehen duke për të bërë opozitën e opozitës.

Këta ‘magjarë’ duan të maskojnë faktin që qëllimi i tyre i vetëm është të mundin opozitën, jo qeverinë.

Magjar ishte pjesë e partisë Fidesz deri në shkurt të vitit 2024, kur befasisht u shfaq në një kanal në YouTube për të mbajtur një fjalim viral. Më shumë se 1 milion njerëz ndoqën transmetimin ku ai shpjegoi se përse i kishte ardhur në majë të hundës me partinë e tij.

"Të gjithë më paralajmëruan kundër këtij qëndrimi, miqtë, familjarët që njoh. Padyshim që kam qenë në këtë sistem, në këtë rreth, për një kohë shumë të gjatë", tha Magjar.

Hungaria ishte në mes të një skandali në të cilin presidentja Katalin Novák kishte falur një burrë që kishte ndihmuar në mbulimin e abuzimit seksual në një jetimore shtetërore hungareze.

“Nuk dua të jem pjesë e një sistemi, në të cilin njerëzit e vërtetë në krye të shtetit, fshihen pas fundeve të grave”, shkroi Magjar në Facebook.

Kurse Edi Rama, dhe llapaqenët që i shkojnë pas, po fshihen pas fundeve të Belindave dhe Lindave, dhe prej andej gjuajnë gurë vetëm mbi opozitën.

Frikacakë të mjeruar!