Fantazia distopike e pavlefshmërisë

Nga Stephen Cave/

A je i shqetësuar për çfarë do të bësh kur makinat të mund të bëjnë gjithçka më mirë se ti? Shpesh dëgjojmë paralajmërime se inteligjenca artificiale do të sjellë “një epokë të re papunësie masive”, siç u shpreh së fundmi kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan. Pasojat e kësaj nuk janë vetëm financiare, puna është mënyra se si shumë prej nesh gjejnë kuptim në jetë. Një studim i vitit 2024 zbuloi se 93 për qind e pjesëmarrësve ndienin ankth për moskuptimin për shkak të përparimeve të IA-së.

Këto shqetësime janë të kuptueshme. Por kjo fantazi distopike e pavlefshmërisë nuk është e pashmangshme. Ideja që IA-ja do t’i bëjë jetët tona pa kuptim bazohet në tri gabime.

I pari mund të quhet gabimi “fituesi merr gjithçka”. Është ideja se njerëzit duhet të jenë më të mirët në një aktivitet që ai të ketë kuptim. Pasi humbi ndaj AlphaGo të Google DeepMind në një përballje të famshme në vitin 2016, lojtari i Go-së, Lee Se-dol, u tërhoq nga loja kineze e strategjisë, duke thënë se IA-ja “nuk mund të mposhtet”. Por 10 vjet më vonë, Go mbetet jashtëzakonisht popullor. Duket se ne mund të gjejmë kënaqësi në aktivitete pa pasur nevojë t'i mundim të gjithë apo gjithçka tjetër. Unë kam vrapuar maratona, por asnjëherë nuk kam menduar se do të fitoja, aq më pak të isha më i shpejtë se një makinë. Ajo që kishte rëndësi ishte të bëja më të mirën time, në një frymë komuniteti dhe festimi.

E dyta është ajo që mund ta quajmë gabimi i mbijetesës: ideja se kuptimi kërkon një luftë për të mbijetuar. Nëse inteligjenca artificiale e përgjithshme plotëson të gjitha nevojat tona, pesimistët druhen se do të bëhemi si fëmijë të varur. Por shumica e punëve moderne vështirë se mund të përshkruhen si një betejë epike për mbijetesë. Dhe kjo është diçka e mirë. Njerëzit që jetojnë në varfëri ekstreme nuk duan gjë tjetër veçse të dalin nga ajo gjendje. Nëse nevojat bazë janë të garantuara, më shumë njerëz mund të ngjiten në atë që psikologu amerikan Abraham Maslow e quajti hierarkia e nevojave. Pra, pasi nevojat fizike dhe të sigurisë të jenë të mbuluara, do të jemi të lirë të ndjekim përkatësinë, vlerësimin dhe vetërealizimin.

E treta është gabimi i së tashmes: supozimi se ajo që sot e quajmë punë është matësi më i mirë për aktivitetin kuptimplotë njerëzor. Ka frikë se, pa punët që kemi sot, do të bëhemi ajo që Yuval Noah Harari e quan një “klasë e padobishme” njerëzish “të panevojshëm”. Por shumica e asaj që ne e konsiderojmë punë ekziston vetëm prej disa dekadash. Nuk është e qartë nëse paraardhësit tanë do ta shihnin si aktivitet me kuptim të ulesh në një tavolinë dhe të dërgosh email-e, dhe po aq e paqartë është nëse ne do të ndiejmë mungesën e kësaj kur IA-ja ta zëvendësojë. Duhet të jemi të kujdesshëm të mos mendojmë se mënyra si e kalojmë kohën sot është e vetmja apo më e mira.

Ndërsa disa njerëz gjejnë kuptim në punën e tyre, ka shumë të tjerë që mezi presin ta lënë atë. Në shumë vende më të pasura, njerëzit e moshuar, që shpesh janë në pension, raportojnë nivelet më të larta të lumturisë krahasuar me çdo grupmoshë tjetër.

Ndryshimi natyrshëm shkakton ankth. Në fakt, me sistemet ekonomike dhe shoqërore siç janë sot, humbja e punës sjell dhimbje reale, si financiare ashtu edhe psikologjike. Por duhet të motivohemi nga potenciali i IA-së për t’i rimenduar këto sisteme, në mënyrë që të lejojmë të gjithë të jetojnë jetë me kuptim. Një mirëqenie më e mirë, për shembull përmes të ardhurave bazë universale, është e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Kushtet për një jetë me kuptim prekin shumë më tepër aspekte të politikave publike. Edhe pse kuptimi dhe qëllimi mund të duken shumë personale, kushtet për t’i gjetur ato janë gjithashtu strukturore.

Liria nga puna nuk duhet të nënkuptojë vetëm lirinë për të qenë konsumator pasiv, përndryshe, humbja e punës do të çojë në mërzi dhe zbrazëti. Kuptimi vjen nga përfshirja aktive në jetë (dhe për disa, edhe në atë që mund të vijë pas saj). Politikat mund ta mbështesin këtë. “Përdorimi i mençur i kohës së lirë,” shkroi filozofi Bertrand Russell në vitin 1932, “është produkt i qytetërimit dhe arsimit.” Duhet të zgjerojmë aksesin në arsimin për të rritur, për ta bërë normale mësimin e aftësive dhe interesave të reja gjatë gjithë jetës.

Përfshirja aktive vjen edhe përmes komunitetit, i cili mund të mbështetet përmes planifikimit më të mirë urban, ose duke zgjeruar format pjesëmarrëse të qeverisjes që u japin më shumë njerëzve mundësinë të përfshihen në të ardhmen e lagjeve të tyre. Ajo mund të vijë edhe nga lidhja me ritmet e jetës përtej njerëzores, që mund të mbështetet përmes aksesit më të mirë në natyrë.

Nuk duhet të jemi të pakujdesshëm: një IA e projektuar keq mund të nxisë varësi dhe të dobësojë lidhjet tona. Por ajo paraqet gjithashtu një mundësi për të rimenduar se si e kalojmë kohën dhe si mund t’i organizojmë shoqëritë tona në mënyrë që të kalojmë më shumë kohë duke bërë atë që ka më shumë rëndësi për ne. /Financial Times – Syri.net