‘Mollë sherri’ në vrasjen e Martin Çeços/ Martina Pajollari kërkon lirimin, dyshohet se nxorri në pritë 26-vjeçarin...

‘Mollë sherri’ në vrasjen e Martin Çeços/ Martina Pajollari kërkon lirimin, dyshohet se nxorri në pritë 26-vjeçarin...

Martina Pajollari e akuzuar për moskallëzim krimi të vrasjes së Martin Çeços, ndodhet në ‘arrest shtëpie’ prej dy javësh, kjo për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

Ka qenë mbrojtja e cila ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Martina Pajollarit e cila ndodhej në burgun e Pojskës. Vetëm dy muaj përpara edhe të tre të akuzuarit e tjerë u liruan nga qelia për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

Martina Pajollari u akuzua se nxori në pritë Martin Çeçon dhe më pas nuk kallëzoi krimin. Kjo vrasje ka kaluar një kalvar të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe pritet që të zhvillohen seanca të tjera gjyqësore.

Si ndodhi vrasja?

Një histori dashurie, megjithëse e mbyllur mes një 18 vjeçareje dhe 26 vjeçarit u bë shkak për vrasjen e këtij të fundit. 26 vjeçari, Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij. Pas njoftimit Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.

Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë. Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë 3 persona të identifikuar si Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.

Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18-vjeçarja e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38 vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, Bleti Angjo. Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, kjo ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen.

38-vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij Valter dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar.