Merret peng 32-vjeçari në Tiranë/ I riu kallëzon në polici: Më dhunuan për t'më marrë paratë...
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Hijet”, pas një hetimi të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe forcat operacionale.
Gjithçka nisi pas kallëzimit të një 32-vjeçari, i cili denoncoi se më 31 mars 2026 ishte marrë me forcë nga tre persona, të cilët e kishin futur në një automjet dhe më pas e kishin mbajtur për disa orë në një ambient privat në Xhafzotaj. Sipas tij, gjatë kësaj kohe ai ishte kanosur dhe dhunuar fizikisht, me qëllim që t’i merrej një shumë parash.
Pas hetimeve, policia arriti të identifikojë tre autorët e dyshuar të ngjarjes.
Në pranga kanë rënë dy prej tyre, H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç, ndërsa një tjetër, J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj, është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se të tre kanë bashkëpunuar për rrëmbimin e 32-vjeçarit, duke e mbajtur peng dhe duke ushtruar dhunë ndaj tij për përfitim financiar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash dhe disa sende të tjera të dyshuara si të kundërligjshme.
Policia vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.