Dembele dhe PSG në ngërç për kontratën e re

Paris Saint-Germain dhe sulmuesi Ousmane Dembélé kanë mbetur në një situatë të paqartë sa i përket të ardhmes së lojtarit, pavarësisht se kontrata aktuale e tij zgjat deri në qershor të vitit 2028.

Sipas raportimeve të “L’Equipe”, as klubi dhe as lojtari nuk po nxitojnë për të finalizuar një marrëveshje të re, duke vendosur që bisedimet të shtyhen deri në fund të sezonit.

E ardhmja e francezit pritet të varet nga ecuria e PSG-së në kompeticionet madhore, sidomos në Champions League.

Sezoni i Dembélé ka qenë me ulje-ngritje. Lëndimet në fillim të edicionit ngritën dyshime brenda klubit, por performancat e tij që nga janari kanë rikthyer besimin te rëndësia e tij në skuadër.

Megjithatë, pengesa kryesore mbetet aspekti financiar. Struktura e pagave te PSG, e ndikuar edhe nga rregullat e “Fair Play Financiar”, mund të mos përputhet me kërkesat e lojtarit, i cili raportohet se kërkon një pagë në nivelin e yjeve të mëdhenj të klubit në të kaluarën si Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappé.

Në këtë situatë, edhe trajneri Luis Enrique raportohet të ketë ndikim në strukturën e pagave dhe balancën e skuadrës.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, për Dembélé mund të hapen opsione të tjera, me klube nga Premier League dhe Arabia Saudite që kanë shfaqur interes, edhe pse deri tani nuk ka oferta konkrete në tryezë.