Kriza e Milanit thellohet, Allegri: Rrezikojmë Championsin

Situata te Milani është bërë alarmante dhe këtë herë edhe optimizmi i zakonshëm i trajnerit Massimiliano Allegri duket se nuk mjafton për të fshehur problemet e skuadrës.

Humbja e rëndë në shtëpi ndaj Udinese ka lënë pasoja të mëdha, jo vetëm për rezultatin, por edhe për ndjesinë se sezoni mund të prishet në momentin vendimtar.

Vendi në Ligën e Kampionëve, që deri pak javë më parë dukej i sigurt, tani është seriozisht në rrezik.

Që nga fitorja në derbi ndaj Interit, Milani ka hyrë në një krizë të thellë: humbje ndaj Lazios, Napolit dhe së fundmi ndaj Udinezes.

Fitorja e vetme në këtë periudhë ka qenë ndaj Torino, më 21 mars.

Shifrat janë shqetësuese: kuqezinjtë nuk kishin humbur dy ndeshje radhazi që nga shkurti 2025 dhe nuk kishin kaluar disa ndeshje pa shënuar që nga viti 2021.

Po ashtu, pësimi i tre golave në “San Siro” rikthen kujtimet e humbjes së rëndë ndaj Sassuolo në vitin 2023.

Pas ndeshjes, Allegri u shpreh i zhgënjyer: “Ndryshimi i modulit nuk ka lidhje. Është një moment i keq, kemi humbur tri nga katër ndeshjet e fundit dhe kemi disa ndeshje pa shënuar. Mbrojtëm në mënyrë të çorganizuar dhe duhet të rikthejmë qetësinë”.

Ai theksoi se problemi kryesor ishte menaxhimi i dobët i lojës dhe ritmi i ulët: “Ishim shumë të ngadaltë në qarkullimin e topit. Kur e lëvizëm me durim, krijuam raste. Udinese është skuadër që të ndëshkon nëse humbet topin në mesfushë”.

Për vërshëllimat e tifozëve në “San Siro”, trajneri italian u tregua realist: “Është pjesë e futbollit. Kur fiton je i mirë, kur humb jo. Tifozët kishin të drejtë”.

Në fund, Allegri ndaloi edhe te Rafael Leão: “Pati dy raste të mira në pjesën e parë, por në hapësira të ngushta është e vështirë. Nuk është vetëm çështje e tij, duhet të përmirësohemi në sulm”.

Tashmë, për Milanin mbetet jetike reagimi në ndeshjen e radhës ndaj Veronës, pasi çdo hap fals mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë në garën për një vend në Champions.