A janë drithërat e lashta më të shëndetshme? E vërteta surprizuese për quinoa-n dhe spelt-in
Drithërat e lashta janë ato që kanë ndryshuar shumë pak gjatë qindra viteve. Ndryshe nga kulturat bujqësore të përhapura si gruri, që janë përzgjedhur dhe modifikuar nga njeriu për mijëra vjet, drithërat e lashta kanë ruajtur vetitë gjenetike të paraardhësve të tyre të egër. Sot ato po përjetojnë një rikthim në popullaritet.
Ato lidhen me shumë pretendime shëndetësore, përfshirë idenë se përmbajnë më shumë lëndë ushqyese sesa variantet moderne.
Por a janë vërtet më të mira se drithërat moderne, të cilat janë formësuar nga praktikat bujqësore që nga epoka e gurit?
Drithërat kundrejt drithërave të plota
Drithërat – si orizi, gruri, tërshëra dhe misri – përbëjnë një pjesë të madhe të dietës globale. Prej tyre marrim një sasi të konsiderueshme fibrash dhe karbohidratesh, si dhe një pjesë të proteinave.
Rekomandohet që të paktën gjysma e drithërave që konsumojmë të jenë të plota. Këto janë drithëra që nuk janë përpunuar apo rafinuar në mullinj, duke ruajtur tre komponentët kryesorë: lëvoren, endospermin dhe embrionin, të pasur me vitamina dhe polifenole, përfshirë proteinat, vitaminën B, hekurin dhe fibrat.
Për shembull, makaronat integrale kanë një shije më të fortë dhe përmbajnë më shumë fibra, antioksidantë dhe vitamina krahasuar me makaronat e rafinuara.
Nga ana tjetër, drithërat e rafinuara janë përpunuar dhe kanë humbur strukturën origjinale, si dhe një pjesë të fibrave dhe lëndëve ushqyese.
Spelti është kultivuar që në periudhën neolitike, rreth 12 mijë vite më parë, dhe nuk është modifikuar qëllimisht që atëherë.
“Drithërat rafinohen për shijen dhe vetitë që lidhen me pjekjen,” thotë Rilla Tammi, studiuese në epidemiologjinë ushqimore në Institutin Finlandez për Shëndetin dhe Mirëqenien. “Rafinimi lidhet gjithashtu me një jetëgjatësi më të madhe të produktit.”
Kjo ndodh sepse lëvorja dhe embrioni përmbajnë acide yndyrore që e shkurtojnë afatin e ruajtjes.
Megjithatë, dietat e pasura me drithëra të plota lidhen me një rrezik më të ulët për shumë sëmundje, përfshirë diabetin e tipit 2. Studimet tregojnë gjithashtu se konsumimi i rregullt i tyre lidhet me tension më të ulët të gjakut. Një analizë e vitit 2020 e 17 studimeve zbuloi se një dietë e pasur me drithëra të plota lidhet me rrezik më të ulët për kancer kolorektal, të zorrës së trashë, stomakut, pankreasit dhe ezofagut.
Megjithatë, këto gjetje duhen marrë me rezervë. Të dhënat shpesh ndikohen nga faktorë të tjerë, pasi personat që konsumojnë drithëra të plota zakonisht kanë edhe zakone të tjera të shëndetshme.
Një studim finlandez me mbi 5 mijë të rritur tregoi se ata që konsumonin më shumë drithëra të plota kishin një dietë më të shëndetshme në përgjithësi, me më shumë fruta, perime, qumësht me pak yndyrë dhe peshk, si dhe më pak mish të kuq dhe të përpunuar.
Hyrja e drithërave të lashta
Një numër në rritje studimesh sugjeron se ekziston një dallim mes drithërave “moderne” dhe atyre “të lashta”. Të dyja mund të konsumohen si të plota ose të rafinuara, por drithërat moderne janë përzgjedhur ndër vite për të pasur rendiment më të lartë ose shije më të mirë.
Gruri dhe misri që konsumojmë sot janë kryqëzuar gjatë mijëra viteve. Misri rrjedh nga një bimë e egër e quajtur teosinte, ndërsa gruri modern është rezultat i përzgjedhjes nga lloje të lashta si emmeri dhe spelti.
Emmeri ishte një nga drithërat e para të kultivuara, rreth vitit 9700 para erës sonë.
Në të kundërt, drithërat e lashta nuk janë modifikuar nga njeriu dhe ruajnë karakteristikat e tyre origjinale. Për shembull, spelti kultivohej që në periudhën neolitike dhe nuk është ndryshuar që atëherë.
Elbi përmendet në shkrimet më të hershme njerëzore rreth 4 mijë vite më parë në Mesopotami, ndërsa farat chia kultivoheshin nga Aztekët në të njëjtën periudhë.
Rizbulimi i këtyre drithërave filloi në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, kur komunitetet bujqësore hasën në mbetje drithërash gjatë gërmimeve arkeologjike.
Sot, shumë prej tyre po rikthehen në dietat moderne dhe disa madje kanë marrë status të mbrojtur.
Megjithatë, ato nuk janë ende zgjedhja kryesore për fermerët, pasi drithërat moderne japin rendiment më të lartë. Për më tepër, drithërat e lashta janë më pak të përshtatshme për prodhimin e bukës.
A janë më të shëndetshme?
Një nga përfitimet kryesore të drithërave të lashta është se shumë prej tyre përmbajnë pak ose aspak gluten. Për shembull, meli dhe quinoa janë alternativa të mira për personat me intolerancë ndaj glutenit.
Disa studime lidhin konsumimin e quinoa-s me përmirësimin e shenjave të hershme të diabetit të tipit 2. Në një studim, burrat që konsumuan bukë me miell quinoa për katër javë kishin nivele më të ulëta të sheqerit në gjak krahasuar me ata që konsumonin bukë të bardhë.
Megjithatë, një studim i vitit 2020 gjeti pak prova që praktikat moderne bujqësore kanë dëmtuar ndjeshëm vlerat ushqyese të drithërave moderne, megjithëse disa minerale si hekuri dhe zinku kanë rënë.
“Ka shumë zhurmë rreth drithërave të lashta,” thonë ekspertët. Përfitimet janë të qarta për personat që nuk mund të konsumojnë gluten, por përtej kësaj, dallimi nuk është gjithmonë i madh.
Gjithsesi, studimet mbi drithërat e lashta janë ende të kufizuara dhe rezultatet ndikohen nga kushtet e rritjes së tyre.
Një arsye pse ato mund të jenë më të dobishme lidhet me faktin se zakonisht konsumohen të plota, duke siguruar më shumë fibra, vitamina dhe minerale.
Rikthimi i drithërave të lashta
Ndryshimet klimatike janë një faktor i rëndësishëm në rikthimin e interesit për drithërat e lashta. Disa prej tyre janë më rezistente ndaj kushteve të vështira dhe kërkojnë më pak pesticide.
Në disa rajone të Turqisë dhe Afrikës Perëndimore, fermerët po rikthejnë kultivimin e këtyre drithërave për të përballuar thatësirën.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se çelësi i një diete të shëndetshme nuk është vetëm konsumimi i drithërave të lashta, por një kombinim i llojeve të ndryshme të drithërave, veçanërisht në formën e tyre të plotë.
“Shumë kultura bujqësore janë lënë pas dore sot,” thonë studiuesit. “Në të kaluarën, drithërat kombinoheshin gjithmonë me kultura të tjera.”
Sipas ekspertëve, shumëllojshmëria mbetet strategjia më e mirë për të përfituar nga të gjitha vlerat ushqyese që ofrojnë drithërat./BBC