Arsenio tregon fjalët tronditëse që O.J. i tha para vrasjeve

Arsenio Hall ka zbuluar një kujtim të fortë nga një takim me O. J. Simpsonin, pak para vrasjes së ish-bashkëshortes së tij, Nicole Brown Simpson.

Ish-prezantuesi i The Arsenio Hall Show ishte i ftuar në podcastin The Joe Rogan Experience, ku tregoi se Simpsoni i kishte thënë diçka që “e tronditi”, pak para se Nicole dhe miku i saj, Ronald Lyle Goldman, të gjendeshin të vrarë me thikë në shtëpinë e saj në Brentwood.

“E takova një natë në një klub,” tha Hall, duke shtuar se ishte me disa anëtarë të grupit New Edition. “Po rrinim aty, ai erdhi, pimë bashkë dhe u bëmë xurxull.”

Ai kujtoi se Nicole dhe një grua tjetër e quajtur Faye Resnick iu afruan. “E kuptova që, meqë O.J. ishte vetëm, ai po e kërkonte,” tha Hall.

Sipas tij, Nicole foli shkurt me Simpsonin dhe më pas u largua. “Ne vazhduam të flisnim, por ai tha diçka atë natë që më la pa fjalë,” tregoi Hall. “Folëm për të dhe ai tha: ‘Ende e dua. Jam përpjekur ta harroj, por nuk mundem.’” Hall shtoi: “Jo shumë kohë më pas, ajo vdiq.”

Më vonë, Hall kujtoi se kishte parë në televizor ndjekjen e famshme të Simpsonit nga policia me makinën Bronco, dhe kjo e bëri të dëshironte të kishte ende emisionin e tij.

“Po shikoja një ndeshje basketbolli dhe pashë ndjekjen në autostradë. Mendova: ‘Dua të bëj një monolog nesër’,” tha ai. “Nuk më besohej që nuk kisha një emision atë natë. Ishte hera e vetme që më ka munguar vërtet.”

Simpsoni u shpall i pafajshëm për vrasjet e Nicole Brown-it dhe Goldman-it, por gjyqi i famshëm dhe dyshimet e përndoqën gjatë gjithë jetës. Ai ndërroi jetë nga kanceri i prostatës në moshën 76-vjeçare në vitin 2024. /The Daily Beast – Syri.net