Finalizohet operacioni 'Alias': arrestohet 42-vjeçari me armë dhe kokainë në Mamurras
Një 42-vjeçar është arrestuar në Mamurras në kuadër të operacionit të koduar “Alias”, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi A. K., i njohur edhe me alias A. Ll., banues në Mamurras, i cili u kap në flagrancë në ambientet e një hoteli ku po qëndronte.
Gjatë kontrollit në dhomën e hotelit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri (pistoletë) me krehër dhe fishekë. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik, 42-vjeçarit iu gjet edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike, e llojit kokainë.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy telefona celularë.
Operacioni u zhvillua në vijim të kontrolleve dhe punës operative për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe veprimtarive të paligjshme që cenojnë sigurinë publike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.