'Projektligji për pyjet ngjall debat', eksperti: Drafti i ri dëmton fermerët dhe blegtorët

Një projektligj i ri për menaxhimin e pyjeve në Shqipëri po lëviz në drejtim të kundërt me nevojat aktuale, duke propozuar një centralizim të thellë të ekonomisë pyjore në vend të decentralizimit të kërkuar prej kohësh. Sipas ekspertëve të fushës, kjo lëvizje rrezikon jo vetëm menaxhimin e qëndrueshëm të rreth 69% të territorit të vendit, por edhe mirëqenien e komuniteteve lokale, të cilat janë përdoruesit tradicionalë të këtyre pasurive.

I ftuar mëngjesin e sotëm në ''Kafe Shqeto", Hasan Cani, drejtues Departamenti i Pyjeve në PD tha se kjo nismë e re ligjore synon të centralizojë ekonominë pyjore, një hap që shihet si i gabuar dhe në dëm të reformës së papërfunduar për t'ua kaluar administrimin e pyjeve pronarëve fundorë.

Këta të fundit, siç janë fermerët dhe blegtorët në zonat rurale,sipas Canit nuk përfitojnë aktualisht nga ky transferim, duke e lënë reformën pezull.

Një tjetër problem madhor i ligjit është fusha e tij e kufizuar. Cani tregon se në projektiligj përmendet vetëm termin "pyje", duke anashkaluar të gjithë komponentët e tjerë jetikë të Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar.

Ky fond, që përbën një sipërfaqe gjigante të vendit, përfshin gjithashtu kullota, sipërfaqe me bimësi pyjore, sipërfaqe ujore, zona të eroduara dhe shkëmbore. Lënia jashtë e këtyre elementeve e bën ligjin të cunguar dhe "çalon shumë".

Deklarata e plotë:

“Fondi pyjor dhe kullosor kombëtar mbulon afër 69% të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Dhe këtu flitet vetëm për pyjet, pa folur për kullotat, pa folur për sipërfaqet me bimësi pyjore, pa folur për sipërfaqet ujore që ndodhen brenda fondit pyjor, pa folur për sipërfaqet e zhveshura dhe të eroduara, pa folur për sipërfaqet shkëmbore, dunat dhe rërat që ndodhen buzë deteve dhe anës së lumenjve. Flitet vetëm për termin pyje.

Objekti i këtij ligji është pyjet. Po elementët e tjerë të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, kush do t'i administrojë dhe menaxhojë? Njësitë e qeverisjes vendore u ka kaluar me vendim në pronësi.

Neve deri tani kemi punuar dhe luftuar që ekonomia pyjore të decentralizohet dhe pyjet, kullotat, sipërfaqet me bimësi pyjore, të shkojnë tek pronari fundor.

Dhe pronari fundor është përdoruesi tradicional, është fermeri, është blegtori, janë punonjësit e bujqësisë që ndodhen në fshatra.

 Ato sot për sot nuk përfitojnë asgjë nga ky transferim pranë i pyjeve pranë bashkive dhe reforma ka mbetur në vend.

 Krijimi i me ligj i një shoqërie të tillë, që unë e kam lexuar nga për nga 20 nenet që ka ky ligj, dhe si specialist nuk e kam kuptuar hyrjen, daljen dhe zhvillimin e këtij ligji.

Që në objekt të këtij ligji, që përmend vetëm fjalën pyje, duke anashkaluar të gjitha pjesët e tjera të fondit pyjor dhe kullosor, që thotë pyje, që këtu ky ligj, për mendimin tim, çalon shumë.

Struktura që ngrihet, para disa muajsh neve dëgjuam që do të shkrihet Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe Agjencia Kombëtare e zonave të mbrojtura. Plotësisht.

E kam ndjek këtë mendim dhe jam me këtë mendim se dy agjencitë janë jashtë funksioni sot për sot për të menaxhuar këtë pasuri kombëtare.

 Dhe pyjet menaxhohen si një e tërë, pavarësisht formës së pronësisë, formës së qeverisjes dhe statusit të mbrojtjes, sepse ato janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.

 Pyjet me kullotat, me biodiversitetin, të gjitha këto janë të ndërlidhura dhe duhet një strukturë e unifikuar kombëtare, por jo e centralizuar".