Bardhi thirrje qytetarëve: 17 prilli është dita për t’i thënë ndal korrupsionit dhe keqqeverisjes
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka bërë një thirrje publike për mobilizim qytetar më 17 prill, duke e cilësuar këtë datë si një moment simbolik për qëndresën kundër korrupsionit dhe për mbrojtjen e shtetit ligjor në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se 17 prilli duhet të shërbejë si një mesazh i qartë politik dhe qytetar kundër asaj që ai e cilëson si keqqeverisje, vjedhje dhe padrejtësi që po rëndojnë mbi çdo qytetar shqiptar.
Ai nënvizon se opozita dhe qytetarët duhet të qëndrojnë të bashkuar përballë kësaj situate, duke e parë këtë si një moment kyç për të ardhmen e vendit.
Sipas Bardhit, Shqipëria ka nevojë për një kthesë të fortë drejt sundimit të ligjit dhe standardeve evropiane, ndërsa akuzon qeverinë se po vepron në dëm të interesave të qytetarëve.
Postimi i plotë:
17 prill është mesazh se ne qëndrojmë kundër korrupsionit, vjedhjeve. Ne qëndrojmë për shtetin ligjor, për të ardhmen evropiane.
Ndaj të bashkohemi kundër këtij ndëshkimi që i bën Ramaduro çdo qytetari shqiptar.