Martini pranon vështirësitë pas fitores ndaj Teutës: Kemi mentalitet kampioni

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u shpreh i sinqertë pas fitores minimale 1-0 ndaj Teuta në stadiumin “Loro Boriçi”, duke theksuar se megjithëse tri pikët ishin thelbësore, loja e skuadrës nuk e kënaqi.

“Me lojën nuk jam i kënaqur, rëndësi kanë pikët. Ishim të lodhur, ndeshja me Dinamon na mori shumë energji. E dinim që do të ishte e vështirë sepse Teuta ka ekip shumë të mirë”, deklaroi Martini.

Tekniku shkodran pranoi se skuadra e tij vuajti sidomos në aspektin fizik dhe në menaxhimin e fundit të ndeshjes:

“Dallohej që nuk ishim mirë fizikisht. Në fund pati panik për të ruajtur rezultatin, por këto janë ndeshje që duhen fituar edhe duke vuajtur.”

Martini theksoi edhe rëndësinë e rotacionit, duke qenë se Vllaznia është e angazhuar në dy kompeticione:

“U mundova të aktivizoja lojtarë më të freskët. Kur ke ngarkesë, duhet të bësh rotacione. Edhe lodhja mendore ndikon shumë, këmbët rëndohen më tepër.”

Ai u ndal edhe te problemet gjatë ndeshjes, si dëmtimet dhe zëvendësimet e detyruara që ndikuan në ritmin e ekipit:

“Ndërrimet e shpejta na prishën lojën. Për të luajtur siç duam, duhet të jesh në gjendje të mirë fizike, gjë që sot nuk e kishim.”

Në fund, Martini vuri theksin te mentaliteti i skuadrës, që sipas tij po bën diferencën në këtë fazë të sezonit:

“Lojtarët jetojnë me pikët, jo me lojën. E kanë kuptuar që duhen pikët. Është mentalitet kampioni.”