Tottenham në renie të lirë, De Zerbi: Mund të jem si baba, ata nuk kanë nevojë për trajner

Tottenham Hotspur po kalon një moment shumë të vështirë në Premier League, pas humbjes 1-0 ndaj Sunderlandit në debutimin e trajnerit të ri Roberto De Zerbi.

Kjo disfatë e ka çuar skuadrën londineze në 105 ditë pa fitore në kampionat dhe e ka futur gjithnjë e më shumë në zonën e rënies. Situata u rëndua edhe nga dëmtimi i kapitenit Cristian Romero, i cili la fushën i përlotur.

Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 61-të, kur një aksion i Nordi Mukiele u devijua nga Micky van de Ven dhe përfundoi në rrjetë, duke vendosur fatin e takimit.

Pas ndeshjes, De Zerbi u shpreh i zhgënjyer me rezultatin, por mbrojti lojtarët e tij:

“Bëmë një ndeshje të mirë, ndoshta jo mjaftueshëm për të fituar, por në disa momente patëm mungesë fati. Nuk kam çfarë t’u them lojtarëve për qëndrimin dhe shpirtin e tyre.”

Trajneri italian theksoi se problemi kryesor është mungesa e besimit brenda skuadrës.

“Lojtarët mund të luajnë më mirë nëse ndihen të sigurt.”

Në një deklaratë të pazakontë, De Zerbi u shpreh se roli i tij është më shumë emocional sesa teknik:

“Mund të jem si një vëlla i madh, si një baba, ata nuk kanë nevojë për trajner. Ata nuk kanë nevojë të mësojnë futboll, thjesht duhet të rikthejmë besimin.”

Sa i përket dëmtimit të Romeros, ai u tregua i kujdesshëm, duke thënë se ende nuk ka një diagnozë të qartë, por shpreson që të mos jetë diçka serioze, pasi kapiteni është lojtar kyç për pjesën e mbetur të sezonit.

Tottenham mbetet kështu në një krizë të thellë dhe nën presion të madh për mbijetesën në elitën e futbollit anglez.