Shehi: Xhixha po sakrifikon shumë, na streson tabela por na forcon shpirti i garës

Tirana ka marrë një fitore të rëndësishme 3-1 ndaj Egnatias, ndërsa trajneri Orges Shehi ka analizuar gjatë paraqitjen e skuadrës pas ndeshjes.

Shehi u shpreh i kënaqur me tri pikët, duke theksuar rëndësinë e aspektit psikologjik dhe sakrificës së lojtarëve:

“Patjetër që më kënaq, për nevojën që ne kemi për pikë. Kjo ishte ndeshje testi për ne, duhej sakrifica e të gjithëve. Ku ka më mirë sesa ta tregosh përballë ekipeve të forta. Nëse kemi këtë shpirt gare, mendoj që do të na shërbejë shumë për të ardhmen.”

Duke folur për lojtarët ofensivë, trajneri ndaloi veçanërisht te gjendja e Xhixhës dhe planifikimi taktik:

“Xhixha? Nuk do të donim që ta nisnim kështu, ultraofensivë, edhe për shkak të gjendjes fizike të Xhixhës dhe Tabekou, po rrezikojnë… Mos të harrojmë që pozicioni i tabelës na fut në stres të gjithëve.”

Shehi shtoi se skuadra ka punuar shumë për organizimin dhe krosimet, duke theksuar sakrificën taktike dhe disiplinën në mbrojtje, ndërsa pranoi se presioni i renditjes ndikon në mënyrën e lojës.

“Duhet të kuptojmë që një top është në fushë, jo të gjithë kanë prekje topi… sakrifica është thelbësore. Kjo lidhet me nevojën e pikëve, jo gjithmonë me lojën e bukur.”

Trajneri theksoi gjithashtu se kalendari i vështirë dhe derbet e radhës kërkojnë përgatitje psikologjike dhe vazhdimësi, duke nënvizuar se Tirana është një ekip në ndërtim me shumë afrime të reja në janar.