Shqiptarët, ‘sheikët’ që paguajnë më shumë për naftën në Rajon dhe Evropë

Shqipëria vijon të jetë në krye të listës së atyre vendeve, me çmimin më të lartë të naftës, duke konkurruar edhe vendet evropiane me mirëqenien më të lartë socio-ekonomike.

Referuar të dhënave që ofrohen nga Bashkimi Evropian mbi çmimet e karburanteve në vendet e unionit, kryeson Holanda me Francën me mbi 2.3 euro për litër naftë, ndërsa jo pak e konkurron edhe Shqipëria, ku sot nafta arrin në 209 lekë/ litër.

Referuar të dhënave edhe nga vendet e rajonit, Shqipëria është në krye të atyre vendeve me çmimit më të lartë të energjisë, me mbi 3 euro për litër, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk e tejkalojnë këtë shifër por janë poshtë saj.

Konkretisht një litër naftë në Maqedonia e Veriut tregtohet me 1.54 €, Mali i Zi, 1.78 €, Sllovakia: 1.78 €, Bosnja: 1.82 €, Serbia: 1.83 €, Kosova: 1.85 € dhe Kroacia: 1.86 €.

Qeveria shqiptare nga ana tjetër ka ngritur ‘Bordin e Transparencës’ për naftën, i cili vendos çmime tavan për tregtimin e naftës me shumicë dhe pakicë në tregun vendas, çmime të cilat nuk korrespondojnë aspak me studimin e tregut apo edhe të ardhurat që kanë familjet.

Vendimi i fundit i Bordit të  Transparencës fiksoi këtë të shtunë, më 11 prill, çmimet e reja të karburanteve.

Kështu, sipas vendimit, çmimet e reja tavan do të jenë këto:

-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 209 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë/litër.

-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 175 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër.