Kremtohen Pashkët në Berat e Gjirokastër/ ‘Fitore e jetës mbi vdekjen, dritës mbi errësirën’ - Besimtarët urojnë paqe dhe begati!

Për të gjithë besimtarët ortodoksë në qytetin e Beratit,mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u ngjall”,e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për botën. Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Imzot Asti.

Ceremonia e shenjtë u ndoq nga qindra besimtarë ortodoksë, të cilët ishin mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të Katedrales,duke u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për më shumë paqe dhe jetë më të mirë.

Besimtarët ortodoksë beratas morën pjesë fillimisht në meshën për ringjalljen e Krishtit, që u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Imzot Asti,i cili kryesoi edhe lutjen e traditës sipas liturgjisë.

Më pas,besimtarët ortodoksë morën dritë nga drita e Zotit,duke ndezur qirinj nga Imzot Asti, dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjell me vete në shtëpinë e tij,si shenjë mirësie dhe për të marrë bekimin e Zotit.

Mesnata,që shënoi edhe ringjalljes e Krishtit,kulmoi në sheshin qendror të qytetit,jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit,me qirinj në duar. Besimtarët ortodoksë beratas uruan të gjithë besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë për më shumë paqe, begati e mirësi në çdo familje shqiptare.

Edhe besimtaret ortodoksë gjirokastritë kanë kremtuar mbrëmjen e djeshme duke u gdhirë dita e sotme Ringjalljen e Krishtit. Katedralja e “Ngjalljes së Krishtit” ka mbledhur me qindra besimtarë duke uruar njëri-tjetrin- "Krishti u Ngjall”.

Kambana e kishës ka tingëlluar fort në momentin kur akrepat e orës shënuan ardhjen e ditës së re dhe simbolikisht Ringjalljen e Krishtit. Mesha e organizuar nga klerikët ortodoksë vendas në ambientet e jashtme të katedrales, u përcoll nga besimtarët e shumtë të cilët nxitonin të ndiznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re.