Premier League/ Arsenali hedh hap të gabuar në garën për titull, mposhtet në shtëpi nga Bournemouth
Arsenali ka bërë një hap fals në garën për titullin kampion në Premier League, pasi është mposhtur në shtëpi me rezultatin 2-1 nga Bournemouthi.
“Topçinjtë” u surprizuan që në pjesën e parë, kur mysafirët kaluan në epërsi me golin e Croupi në minutën e 17-të. Arsenali reagoi dhe arriti të barazojë shifrat në minutën e 35-të, kur Viktor Gyokeres u tregua i saktë nga pika e bardhë.
Në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve të vendasve për të marrë kontrollin e lojës, ishte Bournemouth që goditi sërish. Alex Scott realizoi golin e fitores në minutën e 74-të, duke i dhënë tri pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij.
Kjo humbje përbën një goditje për Arsenalin në luftën për titull, megjithatë londinezët vazhdojnë të kryesojnë renditjen me 70 pikë.
Ata kanë një avantazh prej nëntë pikësh ndaj Manchester Cityt, i cili ka edhe dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Në anën tjetër, Bournemouthi ngjitet në vendin e nëntë me 45 pikë, duke vazhduar një sezon pozitiv në kampionat.