Piranjat/ Një rrugë, dy porta - Kushërinjtë e Klosit në 'luftë' për kalimin

Një konflikt i zgjatur mes dy familjeve kushërinj në fshatin Bërshi të Klosit, për përdorimin e një rruge bujqësore, ka nxjerrë në pah edhe një herë problemet e pronësisë dhe mungesën e ndërhyrjes efektive të institucioneve lokale.

Familja e Gëzim Allës pretendon se rruga, e hapur në vitin 2023 me mjetet e bashkisë për t’u shërbyer tokave bujqësore të zonës, është bllokuar në mënyrë të njëanshme nga kushëriri i tyre, Zeqir Alla. Sipas Gëzimit kjo ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, duke penguar lëvizjen e mjeteve bujqësore dhe transportin e produkteve, përfshirë qumështin nga blegtoria.

Nga ana tjetër, Zeqir Alla pretendon se marrëveshja fillestare është shkelur nga banorët e tjerë, të cilët sipas tij kanë përdorur rrugën jashtë kushteve të rëna dakord, duke shkaktuar dëme në pronën e tij.

Konflikti ka prekur edhe banorë të tjerë të zonës, si fermeri Sefer Dani, i cili deklaron se për shkak të bllokimit të rrugës është detyruar të përdorë një rrugë alternative të amortizuar, duke pësuar humbje të konsiderueshme në aktivitetin blegtoral.

Edhe pse ekziston një vendim i kryesisë së fshatit që lejon përdorimin e rrugës për mjete bujqësore dhe kalim me kafshë, situata mbetet e pazgjidhur për shkak të mosdakordësisë mes palëve. Ndërkohë, Bashkia Klos ka deklaruar se nuk mund të ndërhyjë, pasi segmenti nuk figuron si rrugë në hartat kadastrale, duke ia lënë zgjidhjen në dorë vetë banorëve.

Pas përplasjesh dhe akuzash të ndërsjella për dëmtime prone dhe shkelje të marrëveshjes, ndërhyrja në terren dhe ndërmjetësimi sollën një zgjidhje të përkohshme, ku palët ranë dakord për rihapjen e rrugës.

Një histori tipike e zonave rurale shqiptare, ku mungesa e zgjidhjeve institucionale i detyron banorët të përballen vetë me konfliktet për tokën dhe burimet e jetesës.