Luis Suarez befason me deklaratën për Botërorin 2026

Luis Suarez ka habitur botën e futbollit me një deklaratë të papritur, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit te Uruguai për Botërorin 2026.

Edhe pse sulmuesi uruguaian shpalli tërheqjen nga kombëtarja në shtator të vitit 2024, ai nuk e ka përjashtuar një rikthim të mundshëm nëse do të marrë një ftesë nga stafi teknik.

Në një intervistë për “El Pais”, Suarez u shpreh qartë se kombëtarja mbetet gjithmonë prioritet.

“Kombëtarja është gjithmonë objektivi. Me Botërorin që po afrohet, nëse stafi teknik mendon se ke nevojë, si mund të refuzosh? Nuk do t’i them kurrë ‘jo’ vendit tim për sa kohë jam ende aktiv në fushë”, deklaroi ai.

Pavarësisht moshës 39-vjeçare, Suarez vazhdon të jetë aktiv dhe ndikues në fushë me Inter Miami, ku luan përkrah mikut dhe ish-shokut të tij te Barcelona, Lionel Messi.

Gjatë sezonit të fundit, ai ka treguar se ende ka shumë për të dhënë, duke regjistruar paraqitje të rëndësishme dhe duke kontribuar me gola dhe asistime.

Ndeshja e tij e fundit me kombëtaren daton më 9 shtator 2024, në një barazim ndaj Paraguai.

Suarez mbetet një figurë ikonike e “gjeneratës së artë” të Uruguait, duke marrë pjesë në katër Kupa Bote dhe duke fituar Copa America 2011.

Gjithashtu, ai ka lënë gjurmë të thella në klube të mëdha si Liverpool, Barcelona dhe Atletico Madrid.

Deklarata e tij hap një skenar intriguese për Botërorin e ardhshëm, duke lënë të kuptohet se një rikthim i legjendës uruguaiane nuk është aspak i pamundur.