Vajza që do të lindë sonte - Monolog nga Turjan Hyskaj

Sonte, ndërkohë që jemi këtu, në Shqipëri do të lindë një vajzë.

Ndoshta edhe ka lindur tashmë. Mjeku ka dalë te dera dhe u ka dhënë lajmin familjarëve. Dhe të gjithë janë gëzuar. Sepse jemi bërë pak më të mençur. Shumë prindër që njoh, nuk e kanë problem nëse u lind vajzë apo djalë. Është pak. Por është shenjë e mirë.

Por ajo vajzë nuk e di ende ku ka lindur.

Imagjino të jesh ajo vajzë e vogël, që po rritesh.

Kur je 5 vjeçe, kupton që nuk bëhesh dot astronaute. Jo sepse qielli është larg. Por sepse astronautja në librin e shkollës është burrë.

Kur je 14 vjeçe, të tregojnë që nuk vishesh dot si të duash. Sepse veshja jote fton, provokon, tregon, thotë gjëra që ti nuk i ke shprehur kurrë me gojë e as menduar. Trupi yt bëhet tekst që të tjerët e lexojnë pa të kërkuar leje.

Kur fillon punë, mëson që duhet të provosh dyfish për t’u marrë seriozisht. Dhe do paguhesh më pak. E njëjta tryezë. I njëjti titull. I njëjti orar. Kontrata e kolegut ngjitur ka një shifër tjetër.

Kur martohesh, kupton që “kompromiset” priten më shumë nga ty sesa nga ai.

Kur bën fëmijë, shikon që karriera jote bëhet opsionale, e tija jo. Ti nuk do të flesh dot për shumë vite me radhë, por askush nuik ta llogarit si punë. Ta quajnë dashuri. Dhe dashuria nuk paguhet.

Ti vajzë e vogël, që do të lindësh sonte, ndoshta dhe ke lindur

Më duhet të të them që kemi ngritur një botë absurde për ty.

Një botë që të kërkon të jesh e suksesshme, por jo aq sa të "kërcënosh" egon e kolegëve. Të jesh e bukur, por jo "provokuese", dhe se faji për shikimin e burrave do të jetë gjithmonë fustani yt.

Dhe, do të ketë gjithmonë një tavan sipër. Gjëra, që “nuk janë për ty”.

Në Shqipëri kemi pasur 33 kryeministra, 33 burra, dhe jo sepse gratë nuk kanë qenë të afta...

Por, ti ke një fat të madh. Që jeni shumë. Që jeni gjysma e shoqërisë. Dhe ka një fill që ju bashkon.

Do hasësh një vajzë tjetër në rrugë, dhe do të kuptoheni me kodin e syve. Do huazosh buzëkuqin e shoqes, fustanin e motrës… sende të vogla që do të bëhen rituali yt i mbrojtjes.

Dhe një ditë, do të ndodhë diçka e jashtëzakonshme. Do të thuash jo-në e parë. Zëri do të të dridhet, do të të rrahë zemra, do të të duket sikur do të shembet diçka… por jo. Asgjë nuk do shembet. Vetëm ti… do të rritesh.

Pastaj, do të ndodhë diçka tjetër, e madhe.

Do të qeshësh.

Në një botë që të kërkon të jesh e matur, e heshtur, e mbledhur si një lule që s'duhet të bëjë zhurmë... ti do të qeshësh. Do të qeshësh fort. Një e qeshur e lirë, e zhurmshme, "e tepërt", dhe ky është akti yt i rebelimit.

Dhe kjo ëshët fitorja jote.

Sonte do të lindin 27 vajza në Shqipëri.

Njëzet e shtatë vajza.

Që do të tentojnë t'i mësojnë të heshtin, para se të flasin. Që do të mësojnë të zënë pak vend, para se të zënë vendin e tyre. Që do të futen në garë, në rresht të fundit.

Por janë edhe njëzet e shtatë vajza që mund të bëhen yje.

Ne vërtet mund të jemi një shoqëri akoma në errësirë. Por, kemi një zakon shumë të bukur, kur shohim të kalojë një yll shprehim një dëshirë