Arben Malaj sulmon Ballën: Shqipëria nuk është plaçkë, qeveria po pengon integrimin europian për interesa personale

Ish-ministri socialist, Arben Malaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Taulant Ballës në parlament, duke akuzuar qeverinë për manipulim të proceseve zgjedhore dhe pengim të integrimit europian të vendit.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Malaj thekson se vetëm ata që ‘e shohin vendin si plaçkë’ mund të mburren me shumica votash të siguruara, sipas tij, përmes presionit dhe manipulimit. Ai pretendon se praktika të tilla përfshijnë ndikimin mbi administratën dhe deformimin e vullnetit të qytetarëve.

Duke iu referuar raporteve të OSCE-ODIHR, Malaj argumenton se ato evidentojnë probleme të vazhdueshme në standardet zgjedhore në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për integritetin e procesit demokratik.

Reagimi i Arben Malajt:

Vetëm ata që e shohin vendin si plaçkë, hajdutët e miliardave, bixhozxhinjtë e fateve tona dhe të pabesët ndaj vendit te tyre, mund të guxojnë të kërcënojnë me ‘shumicë votash’ të fituara përmes presionit mbi bukën e gojës dhe ‘drogimit: të shumë politikaneve dhe pjesë të administratës publike për të vjedhur çdo votë.

Raportet e OSCE-ODIHR  vërtetojnë profilin vota-vjedhës të qeverise Rama.

Është një paradoks i dhimbshëm: ndërsa integrimi evropian përdoret si slogan strategjik, në prapaskenë bëhet gjithçka që ai të mos ndodhë.

Fakti që Shqipëria mbetet pas fqinjëve si Mali i Zi, tregon se bllokimi nuk është thjesht teknik, por pasojë e një babëzie për pushtet absolut ekonomik dhe politik.

Kur krimi dhe politika bashkëpunojnë për të penguar sfidën tonë më të madhe kombëtare, Parlamenti pushon së qeni tempull i demokracisë dhe kthehet në një mjet abuzimi në duart e politikanëve të babëzitur.

Ditë të mbarë!

Arben