I hiqet licenca si institucion i parasë elektronike kompanisë së Ermal Beqirit, 'Soft & Solution' përfitoi mln euro tendera
Banka e Shqipërisë ka vendosur t’i shfuqizojë licencën Institucionit financiar të parasë elektronike, Soft & Solution në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.
Vendimi erdhi pasi Prokuroria e Posaçme lëshoi një urdhër arresti ndaj aksionarit të shoqërisë në fjalë, në dhjetor të vitit të kaluar, me akuzën për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal në bashkëpunim me Ergys Agasin dhe ish drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Investigimi i Plug: Tenderat që fitoi Soft & Solution
Soft & Solution është krijuar në vitin 2011 nga shtetasit Vjollca Vasiari dhe Enida Puto. Ndërsa në korrik të vitit 2021, kompania blihet nga Ermal Beqiri, dhe prej asaj periudhe njeh një sukses të jashtëzakonshëm duke përfituar mbi 22 milionë euro tendera dhe pagesa të përfituara nëpërmjet tenderave sekret nga thesari.
Një investigim I emisionit ‘Plug’ të Syri Tv publikuar në janar 2026 zbuloi se Soft & Solution, në pronësi të Ermal Beqirit, kishte përfituar temdera nga AKSHI por dhe shërbime IT edhe nga Presidenca, Bashkia e Tiranës, Universiteti i Tiranës, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura etj. Deri në atë kohë (pra janar 2026) rreth 2.2 miliardë lekë pagesa nga thesari i shtetit apo në total më shumë se 22 milionë euro nga viti 2019 deri në vitin 2025.
Gjithashtu kjo kompani ka përfituar dhe rreth 3.4 milionë euro tendera nga viti 2015 deri në vitin 2019, kryesisht nga AKSHI.
Licencimi si institucion i parasë elektronike
Vetëm 5 muaj pasi “Soft & Solution” merret nën kontroll nga Ermal Beqiri kompania merr licensën për ementimin e parave elektronike. Banka e Shqipërisë, me vendimin nr. 51, dt. 26 nëntor 2021, e licensoi si subjekt emetues i parasë elektronike.
Në foto: “Soft & Solution” e Ermal Beqirit është licensuar për emetimin e parave elektronike
Në një precedent të ngjashëm, në vitin 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vendosi heqjen e licencës të institucioneve financiare jobanka Micro Credit Albania dhe Final, pasi mori informacion se ndaj aksionarëve të këtyre subjekteve ishte vendosur masa e sigurimit personal “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Mbështetur në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, një nga kriteret që duhet të plotësojnë në vazhdimësi subjektet financiare jobanka gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, është që themeluesit e subjektit të kenë reputacion të mirë. Gjithashtu, rregullorja përcakton se Bаnkа е Shqipërisë mund të pezullojë ose revokojë licencën e subjektit financiar jobankë, në rast se nuk përmbush më kushtet në bazë të të cilave ai është licencuar.
Licencimi i Soft & Solution ishte bërë mbështetur në të njëjtën rregullore, ndërsa rregullorja e re, e posaçme “Për licencimin e institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike, si dhe për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave” hyri në fuqi në fillim të vitit 2022.
Megjithatë, edhe rregullorja e re, në nenin 7 përcakton se një nga kriteret për refuzimin e licencës është kur vërtetohet se të paktën njëri nga themeluesit e shoqërisë është në ndjekje penale ose është dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Shfuqizimi i licencës së Soft & Solution e ka ulur numrin e institucioneve të licencuara të parasë elektronike nga 11 në 10.
Foto: Ermal Beqiri
Biznesmeni Beqiri ende në kërkim
Në 16 dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Mirlinda Karçanaj, atëherë drejtuese e AKSHI-t dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi, ndërkohë që ende nuk janë zbatuar ende masat “arrest në burg” për biznesmenët Ermal Beqiri e Ergys Agasi. Prokuroria e Posaçme i akuzon këta persona për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar në mënyrë abuzive nga tenderat publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Aktet hetimore të bëra publike tregojnë se si biznesmenët Beqiri dhe Agasi ndërhynin tek drejtuesit e AKSHI-t për të fituar procedurat e prokurimit publik, si edhe për të shumëfishuar në mënyrë abuzive fondet limite.
Dyshohet se vlera e tenderave të paracaktuar nga ky grup i dyshuar kriminal arrin në të paktën 60 milionë euro. Veprimtaria e dyshimtë e AKSHI-t është denoncuar në mënyrë periodike nga Partia Demokratike në opozitë. Ndërsa ish-zv.kryeministri socialist, Arben Ahmetaj, e ka konsideruar Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit si “kopshti privat financiar të kryeministrit Edi Rama".