Milani i vendos çmimin Fofanës, klube nga Anglia dhe Turqia hidhen në sulm
Milani po përgatitet për një verë të nxehtë në merkato, ku një nga emrat më të përfolur është ai i Jusuf Fofana.
Mesfushori francez ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve nga Premier League, por edhe nga kampionati turk, duke e kthyer në një nga objektivat më të kërkuar.
Ish-lojtari i Monacos mund të jetë një nga sakrificat e mëdha të Milanit për të financuar afrimet e reja.
Trajneri Massimiliano Allegri ka në fokus përforcimin e mesfushës dhe një nga objektivat kryesorë mbetet Leon Goretzka, aktualisht pjesë e Bayern Munich.
Gjermani, që është në skadencë kontrate, shihet si profili ideal për t’u vendosur përkrah eksperiencës së Luka Modric.
Fofana u transferua te Milani për 26 milionë euro dhe tashmë një pjesë e kësaj shume është amortizuar në bilanc. Aktualisht, vlera e tij kontabël ka rënë në rreth 16 milionë euro, çka do të thotë se çdo ofertë e lartë do të sillte fitime të konsiderueshme për klubin.
Interesi i shtuar nga jashtë Italisë e vendos Milanin në një pozitë të favorshme negociuese, ndërsa e ardhmja e Fofanës pritet të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos së verës.