'Mazhoranca arrogancë dhe frikë nga llogaridhënia'/ Himçi: Protesta, zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes

Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka akuzuar mazhorancën për arrogancë dhe mungesë përgjegjshmërie, duke deklaruar se ajo po refuzon nisma të opozitës, përfshirë kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

I ftuar në emisionin “Syri Digjital” në SYRI TV me moderator Bled Marku, Himçi tha se sjellja e mazhorancës, karakterizohet nga “arrogancë dhe frikë për t’u përballur me përgjegjësinë para opozitës dhe qytetarëve”.

Sipas tij, Kuvendi ka humbur funksionin e tij të kontrollit ndaj ekzekutivit dhe është shndërruar në një “zgjatim të qeverisë”, ku debatet janë zëvendësuar nga votime të automatizuara. Ai shtoi se në këto kushte, sipas tij, ligjet miratohen pa debat të mjaftueshëm dhe pa analizuar pasojat për interesin publik.

Duke komentuar situatën politike, Himçi u shpreh se vendimmarrja në parlament po dominohet nga “forca e kartonit”, ndërsa shtoi se edhe partnerët ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, kanë mbajtur qëndrime të qarta për çështje si pastrimi i parave.

Në lidhje me protestat, ai u shpreh se ato nuk duhet të kufizohen vetëm te organizimi politik, por duhet të marrin formë nga qytetarët, të cilët duhet të shprehin pakënaqësinë.

Ai i bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në protestën e 17 Prillit, duke i konsideruar protestat si një reagim gjithëpopullor kundër qeverisë dhe, siç u shpreh ai, për “rrëzimin e saj”.

Himçi:

Sigurisht që mazhoranca ka dy momente. Së pari, shpreh arrogancën e vet gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë të pushtetit. Nuk kanë më si të justifikohen dhe nga ana tjetër sigurisht që është edhe frika në mes, përveç arrogancës. Frika për t'u përgjigjur, frika për të qenë i përgjegjshëm para opozitës dhe pse jo edhe para të gjithë popullit shqiptar dhe kjo ka bërë që refuzimi total i çdo nisme nga ana jonë, sidomos edhe e pjesës së ngritjes së komisioneve hetimore me justifikime absurde nga ana e mazhorancës, duke mos justifikuar qëllësinë e ngritjes së një komisioni, kur është një e drejtë kushtetuese e sanksionuar në kushtetutë dhe për këtë sigurisht që na takon si një e drejtë e jona legjitime dhe një detyrim i mazhorancës për të na lejuar të ngremë komisionet hetimore.

Sigurisht që një nga funksionet e rëndësishme përveç atij ligjvënës, kuvendi ka edhe momentin check and balance, pra atë të kontrollit të ekzekutivit, gjë për të cilën tashmë nga ana e Edi Ramës, parlamenti është kthyer në një zgjatim, ku vetëm ngrihen kartonët, nuk ka më diskutime dhe keqardhje dhe për kolegët deputetë të Partisë Socialiste, pasi ka dhe figura shumë të mira me integritet, të cilët janë vendosur në kushte dhe rrethana të tilla, të cilat ngrejnë vetëm kartonin, nuk ka më diskutime dhe debat, jo vetëm politik, por edhe juridik, do të thoja, në lidhje me projektligjet që miratohen në një verbëri totale dhe në një papërgjegjshmëri totale përsa i përket asaj që ngrenë dhe atë që miratojnë pa ditur pasojat që të sjell në interesa publik dhe sigurisht janë pjesa më e madhe e tyre.

Sigurisht që neve jemi në një pozitë do të thoja ku forca e kartonit, sigurisht dominon dhe nuk pyetet më as për argumenta, as për aspektin e qëndrimeve politike siç është partner strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Bashkimi Europian, të cilët kanë pasur një qëndrim të saktë për pjesën e pastrimit të parave. 

Skenari i protestës, është pak, do të thoja, i kufizuar, sepse në fund fare të protestës, protestën e marrin në dorë qytetarët dhe janë qytetarët ata që do të shprehin vullnetin e tyre, frymën e protestës, ndaj kësaj keqqeverisje të kryeministrit Edi Rama, që për gjithë këto 14 vite veçse ka varfëruar këtë popull dhe e ka çuar në skamje totale, e ka zbrazur këtë Shqipëri të mirë dhe për më tepër e ka kthyer Shqipërinë në një tortë ku ndan vetëm pjesët me miqtë e vet dhe me oligarkët pranë tij, klientelistë, dhe duke ngritur edhe ligje të posaçme, zoti Marku, do të thoja që deri tani që ne flasim, janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë 18 ligje të posaçme klienteliste.

Jo më shumë se sa dje, ne miratuam ligjin për portet turistike, duke i dhënë akses investitorëve strategjikë që ndodhen pranë Ramës, ta marrin pa konkurrencë dhe pa transparencë portin turistik. Edhe ky është një skandal tjetër i madh, po aq sa pastrimi i parave në Shqipëri, edhe kjo është një mega aferë e madhe që do të ketë pasoja të tmerrshme.

 Kjo kërkon edhe sensibilizimin e të gjithë popullit shqiptar për t'i thënë ndal masakrës që po i kryen Edi Rama Shqipërisë. Masakër që ndodh edhe në aspektin ekonomik, edhe në aspektin social, edhe në klimën politike që ndodh në Shqipëri, të cilët jemi dëshmitarë, edhe për vetë situatën ku ky shtet është i vetmi në Europë që nuk ka bërë ulje të çmimit të naftës.

Vetëm kjo do të mjaftonte që të gjithë qytetarët që e kanë të prekur përditë, ku qarkullojnë, po edhe ata që s'kanë makina, ku ka rritje të çmimit të biletës së udhëtimit, po ku ka rritje edhe të çmimit të produkteve të ndryshme vetëm thjesht se është rritur çmimi i naftës, ku vetë produktet bujqësore në treg po shkojnë lart e më lart, shumë më të larta se çmimet e Europës, pasi mungojnë politikat e subvencioneve edhe për bujqësinë. Janë skandal pas skandali në çdo sektor që qeveriset. Në çdo sektor ka një skandal të madh. Në shëndetësi, në arsim, në bujqësi po ashtu me fondet e IPARD-it, në Ministrinë e Rendit me tenderin e uniformave që ka ka plasur. Kudo ka mega skandale nga më të mëdhatë. Një pjesë SPAK-u i ka hetuar, një pjesë e politikanëve janë dënuar, një pjesë tjetër janë ende nën hetim, duke kaluar nëpërmjet proceseve.

Unë sinqerisht ftoj të gjithë qytetarët, kjo nuk është protestë e Partisë Demokratike, kjo është protestë e gjithë Shqipërisë, të dalin në shesh, të mbushin Tiranën dhe të protestojmë të gjithë për një interes të vetëm: rrëzimin e kësaj qeverie kriminale dhe tradhtare të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.