Ivanka Trump: Kërkova terapi për herë të parë pas vdekjes së papritur të nënës

Ivanka Trump shpërtheu në lot teksa kujtonte nënën e saj të ndjerë, Ivana Trump, duke zbuluar se kërkoi ndihmë për shëndetin mendor pas vdekjes së saj të papritur.

“Është shumë e vështirë. Humbja e një prindi të godet ndryshe, sidomos kur ndodh papritur, sidomos pas Covid-it, që na mori shumë vite nga jeta,” tha Ivanka, 44 vjeçe, gjatë daljes së saj të enjten, me 9 prill, në podcastin Diary of a CEO.

Ivanka shpjegoi më tej se pas vdekjes së nënës së saj në vitin 2022, dhe pasi bashkëshorti i saj, Jared Kushner, u diagnostikua me kancer të tiroides, ajo vendosi të kërkonte terapi për herë të parë në jetën e saj.

“Jeta jonë ishte në ndryshim të vazhdueshëm,” tha ajo. “Unë jam shumë e zonja të jem e fortë dhe të ndaj gjërat në mendje. Kjo ishte më shumë një kontroll me veten, që të sigurohesha se po gjeja kohë edhe për të reflektuar dhe për t’u kujdesur për veten.”

Ivana, e cila ishte e martuar me Donald Trump-in nga viti 1977 deri në vitin 1990, u gjet e pajetë në apartamentin e saj në Nju Jork me 14 korrik 2022. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të qytetit të Nju Jorkut, ajo ndërroi jetë nga dëmtime të forta pas një rënieje nga shkallët.

“Nëna ime ishte një pioniere e jashtëzakonshme, një shembull i mrekullueshëm për mua i forcës, qëndrueshmërisë, elegancës dhe ambicies. Dhe ishte edhe një nënë shumë e mirë,” kujtoi Ivanka. “Ajo më tregoi shumë në një kohë kur jo shumë gra bënin atë që ajo bënte, në zyrat drejtuese dhe në kantieret e ndërtimit, gjithmonë me taka të larta dhe me flokë perfekt.”

“Nëna ime ishte një model i jashtëzakonshëm për atë që është e mundur,” shtoi ajo. “Si të jesh një nënë e dashur dhe e përkushtuar, por edhe të ndjekësh me vendosmëri qëllimet profesionale.”

Nëna e tre fëmijëve, vajzës Arabella, 14 vjeç, dhe djemve Joseph, 12, dhe Theodore, 10, që i ka me Kushnerin, shtoi se i vjen keq që fëmijët e saj “fatkeqësisht nuk arritën ta njihnin” gjyshen e tyre. /Globe – Syri.net