SYRI TV/ Festa e Pashkës kthen radhën në doganën e Kakavijës dhe Kapshticës

Vijon fluksi i lartë i lëvizjeve në pikat kufitare me Greqinë, në Kakavijë dhe në Kapshticë. Situata paraqitet më e rëndë në Kakavijë, ku pritjet në radhë janë më të gjata, pasi dogana greke punon me sportele të reduktuara, ndërsa e menaxhueshme  dhe pa radhë situata paraqitet në Kapshticë. Numri i lartë i emigrantëve në pikat kufitare lidhet me festën e Pashkës.

Syri TV

Festa e Pashkës ka sjellë fluks në pikat kufitare me Greqinë, si në Kakavijë ashtu edhe në Kapshticë. Sipas të dhënave nga policia kufitare mësohet se gjatë 48 orëve të fundit Kakavija është përballur me një fluks të lartë lëvizjesh në hyrje-dalje, ku vihet re rritje e numrit të emigrantëve që zgjedhin të hyjnë në Shqipëri për të kaluar festat pranë familjeve.

Emigrantët janë shprehur se kanë vendosur të kthehen në atdhe për të festuar Pashkën me familjarët e tyre, ndërsa shtojnë se iu është dashur që të përballen me radhët në pikat e kalimit të kufirit.

Ndërkohë fluks të lartë emigrantësh, të cilët hyjnë në territorin shqiptar, ka patur edhe në doganën e Kapshticës. Sipas të dhënave, gjatë 24 orëve të fundit  në territorin shqiptar kanë hyrë 7475 shtetas, ndërsa kanë dalë 2741. Të ardhur nga qytete të ndryshme të Greqisë, emigrantët tregojnë se përse kanë vendosur që Pashkën ta festojnë në Shqipëri.

Sa i përket pikës kufitare të Qafë Thanës, janë regjistruar 3292 hyrje dhe 2984 dalje. Autoritetet vijojnë të mbajnë në monitorim situatën, ndërsa fluksi pritet të mbetet i lartë edhe në ditët në vijim.