SYRI TV/ Rama mundohet të bindë shqiptarët: Negociatat vijojnë sipas planit
Kryeministri Edi Rama u mundua sërish të bindë qytetarët se negociatat me BE po shkojnë sipas planit, pas lajmeve që vijnë nga Brukseli, të cilat flasin për bllokim të procesit. Deklaratat Rama i bëri gjatë një takimi me pensionistë në njësinë 2 në kryeqytet, për të cilët vijoi fushatën e premtimeve.
I shqetësuar për lajmet që vijnë nga Brukseli, që flasin për një bllokim të negociatave, çfarë u reflektua me rezervat e disa vendeve anëtare dhe me mosmiratimin e raportit Ibar për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama doli sërish në ekrane, duke u munduar t’i bindë qytetarët se negociatat vijojnë sipas planit.
Gjatë një takimi me pensionistë në njësinë dy në kryeqytet, Rama sulmoi mediat dhe u mundua t’i paraqesë shqetësimet e disa vendeve anëtare, që kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e reformave në disa fusha, si diskutime normale dhe të parashikuara, por që nuk ndikojnë procesin e integrimit.
Nga ana tjetër, në turin e propagandës Rama u premtoi pensionistëve se qeveria do t’i mbështesë nëse çmimet e ushqimeve vijojnë të rriten më shumë, megjithëse prej javësh ka pasur një rritje drastike të çmimeve të frutave dhe perimeve.