Talenti i Bayernit humbet çerekfinalen e kthimit me Realin

Bayern Munich përballet me një lajm jo të mirë në prag të sfidës së kthimit ndaj Real Madridit në çerekfinalet e Champions League.

Gjigantët bavarezë kanë humbur një alternativë të rëndësishme në repartin ofensiv, duke komplikuar planet për ndeshjen vendimtare.

Bayerni konfirmoi se talenti i ri Lennart Karl ka pësuar një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë.

Sipas raportimeve, ai do të qëndrojë jashtë për rreth tre javë, duke humbur kështu sfidën ndaj Realit.

Para përballjes së fundjavës, Kompany la të kuptohet se do të bëjë disa rotacione në formacion, duke ruajtur freskinë e ekipit për sfidën vendimtare.

Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany hyn në këtë takim si favorite, pasi arriti një fitore të rëndësishme 2-1 në transfertë në “Santiago Bernabeu”.

Megjithatë, përballja në “Allianz Arena” pritet të jetë gjithçka tjetër veçse e lehtë.

Nga ana tjetër, madrilenët kërkojnë përmbysjen dhe kanë dhënë sinjale se nuk dorëzohen lehtë.

Pavarësisht dominimit të Bayernit në ndeshjen e parë, reagimi i fortë i spanjollëve në fund lë gjithçka të hapur për kualifikimin.

Një mungesë e madhe për “Los Blancos” është ajo e Aurelien Tchouameni, i cili do të mungojë për shkak pezullimi, duke dobësuar mesfushën e ekipit.

Një lajm pozitiv për bavarezët mbetet gjendja e Harry Kane, i cili duket se ka shmangur një dëmtim serioz dhe pritet të jetë në dispozicion.

Të gjitha këto zhvillime e bëjnë përballjen në Mynih edhe më intriguese, me dy gjigantë të futbollit europian që do të luftojnë për një vend në gjysmëfinale.