Integrimi i bllokuar, ndërsa Gonzato thotë: ‘Rrofsha unë’!

Nga Petrit Vasili/

Kjo puna e zyrtarëve diplomatike që shërbejnë në Shqipëri është kthyer vërtet në një hall të shtuar për shqiptarët.

Ky ambasadori i BE në Tiranë përgjegjësitë e të cilit janë të rëndësishme për integrimin evropian shfaqet vazhdimisht e më shumë me qëndrime gjithnjë e më superficiale ndonëse problemet bëhen më të thella e më kritike.

Mbyllja e hapësirave të transparencës politike dhe mediatike nga Rama kërkon të kundërtën nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë.

Por mjerisht kjo nuk po ndodh nga ndërkombëtarët si puna e këtij ambasadorit të BE, përkundrazi po mdodh rreshtimi në krah të propagandës demagogjike të Ramës.

Askush nuk ka nevojë për avokatër të kalvarit të dështimeve dhe korrupsionit të Ramës, por ka nevojë për ndërkombëtarë, që venë gishtin në plagë dhe thonë të vertetat ashtu siç janë.

Përkundrejt deklaratave të një hipokrizie diplomatike deshtake të BE në Tiranë shqiptarët kanë parë rezoluta shumë të forta të Parlamentit Evropian, Raport Progrese shume kritike dhe Raport të OSBE për zgjedhjet e tmerrshme në Shqipëri.

Pyetjet e mëdha, që shtrohen janë:

[▪️] Cilit interes i shërben BE në Tiranë, që sillet sikur vjen nga një planet tjetër?

[▪️] Si ka mundësi që fryma e dokumenteve kaq kritike evropiane nuk reflektohet gjëkundi në qëndrimet e BE në Tiranë?

[▪️] Perse mungon kritika e BE në Tiranë edhe kur shqetësimet e Brukselit janë të qarta e direkte qoftë për pandeshkueshmërinë dhe mbrojtjen e zyrtareve të lartë të korruptuar, Portin e Durrësit, për Amnistinë Fiskale, pastrimin gjigand të parave të krimit dhe narkotrafikut, Teatrin Kombëtar, ligjin për mediat, pasaportat e arta etj?

[▪️] Përse nuk adresohen hapur nga BE në Tiranë debatet e Brukselit për shumë çështje kritike të Shqipërisë?

[▪️] Si mundet që Ambasadori i BE në Tiranë flet në emër të shqiptarëve dhe thotë që ata e vlerësuakan punën e tij, ndërkohë që kanë kaluar plot dhjetë vjet nga Rekomandimi i parë për hapjen e negociatave në nëntor 2016?

PERFUNDIM:

Ambasadori i BE në Tiranë flet hapur për problemet e tij personale por mbyll gojën për problemet kritike, që përballet vendi lidhur me integrimin.

Vonesat për integrimin në BE janë fakt, ndërsa Ambasadori i BE në Tiranë shfaq alibi të njëjta demagogjike si Rama.

Shqipëria është de facto narkoshtet ndërsa ambasadori flet për progrese imagjinare të Shqipërisë, e cila në çdo indikator është në pikiatë që nga funksionimi i shtetit të së drejtës, barazia përpara ligjit, garantimi i pronës private, garantimi i zgjedhjeve të lira, garantimi i të drejtës së protestës, i lirisë së shprehjes që janë themelet e një shteti minimalisht demokratik.

Ambasadori duket që ka vetëm një objektiv, që të mbyllë vitet e shërbimit të tij këtu në Tiranë si një udhëtim i bukur turistik disa vjeçar, të cilin edhe më të bukur ja ka bërë Rama dhe qeveria.