Zyrtare/ Spalletti rinovon me Juventusin deri në 2028: Kemi sfida të mëdha përpara

Luciano Spalletti do të vazhdojë të jetë trajner i Juventusit deri në qershor të vitit 2028. Klubi bardhezi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës pas një takimi mes teknikut dhe drejtuesve në “Continassa”, ku u vendos vazhdimësia e bashkëpunimit për dy vite të tjera.

Njoftimi u bë edhe përmes rrjeteve sociale, ku vetë Spalletti i komunikoi skuadrës vendimin për rinovim, duke theksuar rëndësinë e grupit dhe unitetit brenda ekipit.

Në fjalën e tij para lojtarëve, trajneri italian kujtoi momentin kur mori drejtimin e Juventusit rreth shtatë muaj më parë: “Kur erdha, më ofruan këtë kontratë si një mënyrë për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të kuptuar më mirë ambientin. E pranova menjëherë sepse doja të kuptoja çfarë është Juventusi nga brenda”.

Spalletti vlerësoi maksimalisht grupin e lojtarëve, duke theksuar frymën e bashkëpunimit dhe unitetin: “E dija madhështinë e klubit, por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte ky grup i bashkuar, me dëshirë për të luftuar së bashku”.

Në fund, ai u shpreh i bindur për të ardhmen: “Kemi sfida të rëndësishme përpara, por jam i sigurt se me këtë grup do të jenë sfida të bukura. Kemi përgjegjësinë të bëjmë krenarë miliona tifozë të një prej klubeve më të mëdha në botë”.

Rinovimi i Spallettit konfirmon besimin e plotë të Juventusit në projektin aktual dhe synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues për vitet në vijim.