Zjarr masiv në stadiumin e Rios, por vihet nën kontroll, nuk raportohen të lënduar
Një zjarr që shpërtheu në stadiumin ‘Parque Olímpico’ të Rio de Janeiros është vënë nën kontroll në orët e para të së mërkurës, pa shkaktuar të lënduar dhe pa rrezik për përhapje në pjesë të tjera të kompleksit sportiv.
Sipas autoriteteve zjarrfikëse të Rio de Janeiro-s, ekipet e emergjencës u thirrën në vendngjarje rreth orës 04:17 të mëngjesit, ku rreth 80 zjarrfikës dhe 20 automjete u angazhuan për shuarjen e flakëve.
Velodromi, i ndërtuar për Lojërat Olimpike “Rio 2016 Summer Olympics”, është nën administrimin e qeverisë së qytetit dhe përfshin gjithashtu Muzeun Olimpik, ku ruhen objekte historike si pishtari olimpik dhe medalje nga edicioni i Lojërave.
Gjatë operacionit, zjarrfikësit punuan si brenda ashtu edhe jashtë objektit për të mbrojtur artefaktet me vlerë historike që ndodheshin në muze. Sipas autoriteteve, dëmet materiale janë të kufizuara.
Kryetari i Rio de Janeiro-s, Eduardo Cavaliere, deklaroi se pjesa më e madhe e strukturës nuk është prekur rëndë nga zjarri, megjithëse flakët arritën deri te çatia e velodromit.
Velodromi është qendra më e madhe e çiklizmit në Brazil dhe përdoret gjithashtu si bazë stërvitore për ekipet kombëtare të çiklizmit dhe peshëngritjes.
Ky nuk është incidenti i parë, pasi në vitin 2017 çatia e tij ishte dëmtuar nga dy zjarre të mëparshme, megjithatë me pasoja të vogla.