Kurti pritet në darkë nga Ministri britanik për Mbrojtje, i kërkon bashkëpunim më të ngushtë ushtarak

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, mbrëmë u prit në darkë nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Vernon Coaker, në “Naval and Military Club”, në Londër.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, gjatë darkës, kryeministri Kurti e falënderoi Lordin Coaker për mbështetjen historike të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke përmendur në veçanti: ndihmën ndaj refugjatëve, rolin e Gjeneralit Michael Jackson në çlirim, si dhe pas luftës në shtet-ndërtim, zhvillim dhe integrim.

Kurti  në takim po ashtu theksoi se Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim edhe më të ngushtë ushtarak dhe të mbrojtjes, në drejtim të vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta.

Në këtë kontekst, ai përmendi bashkëpunimin në fusha specifike, si bashkëzbarkimet, trajnimet dhe zhvillimin e kapaciteteve. Në takim prezent ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, si dhe ambasadori kosovar në Britani të Madhe

Kurti ndodhet për vizitë zyrtar në Mbretërinë e Bashkuar dhe pritet të marrë pjesë në Konferencën e Londrës për Mbrojtje.

Siç bërit të ditur dje TKM-ja, Kurti gjatë takimit pritet të ketë takime të nivelit të lartë me zyrtarë britanikë dhe ndërkombëtarë.