‘Serbia burimi i çdo konflikti’/ Ish-këshilltari i Osmanit kritika Hoxhës së Ramës për situatën në Ballkan

Kreshnik Çollaku, ish-këshilltari i ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar deklaratat skandaloze të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në lidhje me raportin me Serbinë.

Në postimin e tij në Facebook, Çollaku ka theksuar se në fjalën e Hoxhës ka pasaktësi të rënda, duke veçuar pjesën që ‘konflikti i fundit në Ballkan është ai Serbi-Kosovë’, gjë e cila nuk është e vërtetë, pasi Serbia është burimi i çdo konflikti në rajon, që nga Mali i Zi, Bosnie-Hercegovinë, madje dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu Çollaku ka veçuar edhe deklaratën se Hoxhës se, ‘me Serbinë kemi interesa pavarësisht qëndrimit për Kosovën’, duke theksuar se ‘një linjë e tillë sjelljeje e zgjatur prej dekadash ka qenë e mbetet një ndër dëmet më të mëdha që Tirana zyrtare ia bën Kosovës’.

Postimi i plotë:

Pasaktësi e rëndë në fjalën për media të Ministrit të ri të Jashtëm të Shqipërisë.

-konflikti i fundit në Ballkan është ai Serbi-Kosovë.

E pavërtetë, në fakt Serbia është burimi i çdo konflikti në rajon. Serbia ushqen konfliktin politik, etnik e fetar në Mal të Zi dhe në Bosnie-Hercegovinë, madje dhe Maqedoninë e Veriut.

- me Serbinë kemi interesa pavarësisht qëndrimit për Kosovën.

Një linjë e tillë sjelljeje e zgjatur prej dekadash ka qenë e mbetet një ndër dëmet më të mëdha që Tirana zyrtare ia bën Kosovës.

Është iluzion, është antikombëtare të mendosh se Shqipëria do të “rehatohet” ndërsa Kosova ka probleme, dhe e kundërta.