‘Hije’ ruso - serbe mbi politikat e jashtme të regjimit të Tiranës
Nga Tritan Shehu/
Ka një ndërthurje të këtyre qëndrimeve me artikullin e përbashkët Rama -Vuçic.
1-Dje në Këshillin e Sigurimit të OKB, Kosova kaloi me sukses një “provë”.
Ajo siguroi përsëri mbështetjen e ShBA dhe vendeve kryesore Perëndimore.
Ajo u cilësua si një vend që përpiqet për vendosjen e ligjit, stabilitet, paqe, marrëdhënie të mira me fqinjët etj.
U dënuan provokacionet si i Banjskas nga Serbia e u kërkua dënimi i përgjegjësve.
Përpjekjet e Rusisë e Serbisë për të errësuar realitetet dështuan.
Ndërkaq nuk pati asnjë shprehje solidariteti me këto zhvillime në KS, nga Qeveria jonë.
2-Nuk u transmetua nga nivelet e larta të Tiranës asnjë solidarizm e vlerësim ndaj ShBA e Presidentit Trump për armëpushimin e realizuar me Iranin.
3-Shqipëria është anëtare e NATO-s, vendim i shpallur në Tiranë nga Presidenti Bush.
Si e tillë ajo duhet të jetë e qartë në qëndrimet e saj ndaj organizatës e ndaj ShBA.
Fatkeqësisht nuk pati asnjë prononcim nga Shqipëria kundër qëndrimeve thellësisht të gabuara të disa vendeve anëtare për të bllokuar hapësirat ajrore e bazat ushtarake për përdorimin e tyre nga ShBA, në përballje me regjimin e Iranit.
4-Së paku Shqipëria, qoftë dhe simbolikisht, duhej të deklaronte vënien në dispozicion të ShBA, të hapësirës sonë ajrore, detare e tokësore.
5- Shqipëria është një vend i rrezikuar nga terrorizmi edhe prej kapjes së institucioneve nga krimi, korrupsioni, favorizues këto me terrorizmin.
Alarmi i Ambasadës amerikane ishte shumë i qartë dhe i rëndësishëm.
Qeveria shqiptare për arsye jo të qarta e anashkaloi dhe kërkoi ta sfumojë atë.
Të tilla qëndrime “as mish as peshk” të mbajtura nga Tirana po përsëriten.
Të tilla “vizione” janë në frymën e artikullit Rama-Vuçic, për të cilin Rama deri tashmë nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
Këto ishin argumentet kryesore të fjalës sime të djeshme në Kuvend.