Fermerët e Jagodinës përballen me ulje çmimesh dhe mungesë tregu, rrezikohet prodhimi i kungullit

Gjatë sezonit të vjeljes së kungullit, fermerët e zonës së Jagodinës në Bashkinë Bashkia Elbasan po përballen me vështirësi të shumta në shitjen dhe menaxhimin e prodhimit të tyre.

Fillimisht, sezoni u duk premtues, me çmime tregtimi për eksport që varionin nga 40 deri në 60 lekë për kilogram. Megjithatë, aktualisht fermerët shprehen se çmimi pritet të bjerë në 20–30 lekë për kilogram, një nivel që sipas tyre nuk mbulon as kostot e prodhimit, përfshirë farat, plehrat dhe punimin e tokës.

Fermerët deklarojnë se ndonëse ndodhen në mes të sezonit të vjeljes, për rreth një javë nuk do të kenë mundësi të shesin produktin e tyre, pasi pikat e grumbullimit për eksport do të jenë të mbyllura.

Sipas tyre, kjo situatë rrezikon dëmtimin e prodhimit dhe hedhjen e tij, duke përsëritur problematika të ngjashme me vitet e mëparshme.

Ata theksojnë gjithashtu mungesën e mbështetjes nga shteti, duke e konsideruar ndihmën thuajse inekzistente

. Një shqetësim tjetër i madh mbetet edhe heqja e naftës së subvencionuar për fermerët, e cila sipas tyre ka rritur më tej kostot e prodhimit.

Problematikë serioze mbetet edhe mungesa e fuqisë punëtore, pasi emigracioni ka reduktuar ndjeshëm numrin e të rinjve të gatshëm për punë sezonale.

Aktualisht, një punëtor paguhet rreth 25–30 mijë lekë të vjetra në ditë, por fermerët thonë se edhe kjo nuk mjafton për të siguruar krah pune.

Fermerët e Jagodinës shprehen se prej kohësh i kanë bërë thirrje institucioneve shtetërore për ndihmë, por sipas tyre situata vijon të mbetet e pandryshuar, duke i lënë ata të përballen të vetëm me vështirësitë e tregut dhe prodhimit.