Slot u përgjigjet kritikave: Ndiej mbështetje të plotë nga klubi dhe tifozët
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka reaguar pas kritikave të fundit që kanë ardhur ndaj tij dhe ekipit, pas humbjes së rëndë në UEFA Champions League ndaj Paris Saint-Germain.
Disfata ka ndezur debat të madh në Angli, veçanërisht për zgjedhjet taktike të Slot, i cili është kritikuar për një qasje të konsideruar si tepër e kujdesshme në “Parc des Princes”. Megjithatë, në prag të ndeshjes së Premier League ndaj Fulhamit, trajneri holandez ka dashur të qartësojë situatën dhe të theksojë unitetin brenda klubit.
“Ndiej një mbështetje të jashtëzakonshme, jo vetëm nga pronarët Richard dhe Michael, por edhe nga tifozët,” u shpreh Slot.
Ai kujtoi gjithashtu një moment emocional nga një ndeshje jashtë fushe, ku pavarësisht një disavantazhi të thellë, tifozët e Liverpoolit nuk pushuan së kënduari dhe e mbështetën ekipin deri në fund.
“Kur ishim në disavantazh të madh, tifozët tanë vazhduan të këndonin ‘Të duam Liverpool’. Ata na duartrokitën edhe pas ndeshjes dhe kjo ndihet vërtet,” shtoi ai.
Slot theksoi se klubi është i vetëdijshëm për periudhën që po kalon skuadra dhe se ai personalisht ndihet plotësisht i mbështetur.
Mesazhi i trajnerit vjen si një përpjekje për të bashkuar ambientin dhe për të larguar presionin përpara ndeshjeve të ardhshme, ku Liverpool do të kërkojë të rikthehet te rezultatet pozitive.