VV-ja i çon në Kuvend projektligjin për çmimet tavan dhe atë për sigurimet shëndetësore

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti i ka kaluar të premten e kaluar projektligjet për çmimet tavan dhe për sigurimet e detyrueshme shëndetësore.

Një javë, më pas, në seancën e sotme, këto dy projektligje janë dërguar për miratim edhe në Kuvend.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci propozoi që këto dy projektligje, dhe po ashtu edhe ai për shtetësinë të hidhen në votim sot në Kuvend.

Ajo tha se këto projektligje e kanë kaluar shqyrtimin nëpër komisione dhe kërkoi të futen në rendin e ditës së seancës së sotme.

Kundër shmangies nga procedura në mënyrë që këto projektligje të hyjnë në rend të ditës në seancën e sotme, u shprehën partitë opozitare.

Projektligji për çmimet tavan, i njohur si projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023.

Njëjtë kishte ndodhur edhe me projektligjin për sigurimet shëndetësore.