Skandal në Arabinë Saudite, shpërthen Al Ahli: Duan t’ua falin trofeun!
Tensionet në kampionatin e Arabisë Saudite po rriten ndjeshëm në javët e fundit të sezonit, teksa gara për titull mbetet plotësisht e hapur mes Al Nassr, Al Hilal dhe Al Ahli-n në garë.
Pas barazimit të fundit ndaj Al Fayha, Al Ahli ka rënë në renditje, ndërsa nervozizmi brenda klubit ka shpërthyer si në fushë ashtu edhe në rrjetet sociale.
Disa lojtarë të ekipit kanë akuzuar hapur gjyqtarët, duke pretenduar se vendimet e tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në garën për titull. Ish-lojtari i Portos, Galeno, reagoi ashpër në rrjetin “X”, duke deklaruar se “duan t’ia japin kupën dikujt” dhe se vendimet janë “mungesë respekti” ndaj klubit.
Edhe sulmuesi Ivan Toney reagoi me një postim në Instagram, më pas të fshirë, ku shprehej i indinjuar për disa vendime arbitrare gjatë ndeshjes, duke ngritur dyshime për mënyrën e menaxhimit të drejtësisë në kampionat.
Situata u përshkallëzua edhe më tej kur vetë klubi Al Ahli publikoi një deklaratë zyrtare, duke kritikuar ashpër gjykimin dhe duke e quajtur të papranueshëm ndikimin e tij në garën për titull.
Sipas klubit, gabimet e gjyqtarëve kanë ndikuar drejtpërdrejt në renditje dhe kanë dëmtuar parimin e garës së ndershme, duke vënë në pikëpyetje edhe procesin e përzgjedhjes së arbitrave.
Me vetëm gjashtë javë të mbetura, tensioni pritet të rritet edhe më shumë në një nga sezonet më të luftuara të viteve të fundit në futbollin saudit.
Media Statement 📄 pic.twitter.com/iFxv18cHR0
— Al-Ahli Saudi Club (@ALAHLI_FCEN) April 8, 2026