Kryebashkiaku i ‘12 mln kastravecave për 12 mln turistët’, Hoxhaj: E kaluara e kreut të Divjakës, shumë enigma…

Hetimet gazetareske zbulojnë se Josif Gorrea, kryebashkiaku i Divjakës, nuk është thjesht një kryebashkiak, por konsiderohet si monopolisti më i madh i bujqësisë në Divjakë, një zonë me potencial të jashtëzakonshëm agronomik. Ai dyshohet se kontrollon të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga fidanët dhe pesticidet deri te grumbullimi i produkteve finale. Ky pozicion dominues u bë famëkeq pas deklaratës së tij publike për “12 milionë kastraveca për 12 milionë turistë”, një shifër që, përtej batutës, duket se fsheh një realitet të kontrollit absolut të tregut.

Gazetari dhe autori i emisionit Plug, ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv ku deklaroi se sipas dokumenteve të zbuluara, për të shmangur konfliktin e interesit, Gorrea dyshohet se i ka kaluar kompanitë e tij në emër të personave të tjerë. Megjithatë, ai vazhdon të shfaqet publikisht si pronari de facto i tyre, duke u takuar me fermerë e rivalë biznesi, edhe pse mban postin e kryetarit të bashkisë. Kjo situatë krijon një enigmë: pse një biznesmen me një xhiro vjetore që arrin deri në 4 milionë euro do të pranonte një rrogë prej rreth 1.5 milionë lekësh të vjetra në muaj?

Përtej interesave afariste, një tjetër mister rrethon të kaluarën e tij. Ekzistojnë mospërputhje serioze në dokumentet zyrtare lidhur me periudhën e qëndrimit të tij në Suedi, ku ai ka marrë edhe nënshtetësinë. Në CV-në e tij Gorrea deklaron se ka jetuar në Suedi nga viti 1994 deri në 1998. Në kontrast, në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në vitin 2023, ai ka deklaruar se ka qenë atje gjatë viteve 2004-2008. Kjo diferencë 10-vjeçare ngre dyshime për deklarim të rremë në një dokument zyrtar, një çështje që kërkon hetim nga organet kompetente, tha gazetari Hoxhaj gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri.

Në fund, tabloja që krijohet është ajo e një zyrtari që, në vend që t'u shërbejë fermerëve dhe qytetarëve të Divjakës, dyshohet se ka marrë “peng” sektorin kryesor ekonomik të zonës. Sa herë që fermerët kanë protestuar për çështje si çmimet apo pesticidet, përballë kanë gjetur një sistem ku aktori kryesor dhe monopolisti i tregut është vetë njeriu që duhet të mbronte interesat e tyre.

Flavio Qarri: Do të ecim të flasim për një personazh me një rol qëndror shumë më të gjerë se thjesht qenia e tij kryebashkiak. Josif Gorrea, jo vetëm kryebashkiak në një zonë shumë të pasur në aspektin bujqësor, agronomik, por mbi të gjitha dhe me interesa afariste të jashtëzakonshme dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë që nga pesticidet deri tek farërat. I quante banorët e vet kurva, sipas një videoje që është bërë shumë virale në zonën e Divjakës, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Hoxha, kush është Josif Gorrea?

Julian Hoxhaj: Ne e kemi trajtuar gjerësisht në emisionin PLUG. Sigurisht që na ka bërë shumë përshtypje ai momenti kur Edi Rama shkoi në Divjakë dhe takoi banorët, fermerët e Divjakës, supozohet, për t'ju thënë se sa mirë qeveria i ka mbështetur, ndërkohë që bujqësia në Shqipëri ka të paktën pesë vitet e fundit që ka një rënie në GDP me të paktën 6 pikë përqind. Kjo është një rënie e konsiderueshme, pra nga 21 ka shkuar në 15%. Dhe Josif Gorrea aty bëri një deklaratë shumë interesante. 12 milionë kastraveca do hanë 12 milionë turistë.

Flavio Qarri: Kam marrë vesh që kështu e thërrasin tashmë, me zë të qetë.

Julian Hoxhaj: Po dhe gazetarët tanë sigurisht që hulumtuan dhe panë që Josif Gorrea ishte monopolisti më i madh i Divjakës në fushën e bujqësisë. Pra, të gjithë zinxhirin, nga prodhimi i fidanëve deri tek grumbullimi i produkteve bujqësore, e kontrollonte pikërisht kryebashkiaku aktual i Divjakës.

Kompani të cilat gjenerojnë miliona euro xhiro, fitime e të tjera e të tjera, i lë një kryebashkiak, një njeri domethënë, një sipërmarrës, pra që fitonte qindra mijëra euro çdo vit, për t'u bërë kryetar bashkie me rroga që të paktën deri në vitin 2023 ishin rroga deri tek, po themi rroga bruto 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj, për qytetarët që na ndjekin dhe ta kuptojnë. Pra, e imagjinoni dot që një njeri që ka kompani, që xhirot vjetore shkojnë deri në 2.5, ka raste edhe në 3 apo në 4 milionë euro, të lërë pikërisht këtë sipërmarrje që e ka ngritur për 30 vjet për t'u bërë kryetar bashkie.

Flavio Qarri: Sigurisht që jo.

Julian Hoxhaj: Kjo është absurdi dhe ne e kemi zbuluar me dokumenta që kryetari aktual i bashkisë në detyrë, pra Josif Gorrea, ka përdorur njerëz, siç kanë bërë të gjithë, për të kaluar kompanitë në emrin e dy personave, ndërkohë që po vetë vijon të shfaqet si një fermer. Këtë e shfaq publikisht, si pronar i kompanisë, edhe me kundërshtarët, me rivalët, pra del, bën foto...

Flavio Qarri: Edhe pse është kryebashkiak në detyrë.

Julian Hoxhaj: Edhe pse është kryebashkiak.

Flavio Qarri: Ndërkohë, sikur të mos mjaftonte kjo dhe ky mister i famshëm i këtyre eksponentëve të Rilindjes që lënë miliardat për të marrë qindarkat e taksapaguesve si rroga. E shkuara është gjithashtu një pengesë serioze për zotin Gorrea, një e shkuar misterioze.

Julian Hoxhaj:  Elementi më i rëndësishëm tek e shkuara që ne jemi ndalur dhe kemi ngritur pikëpyetje, është që zoti Gorrea, përveç disa hetimeve dhe dënimeve penale në Shqipëri, dyshohet, pra që është në kushtet, po themi Irena Gjokës apo shumë zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, që kanë gënjyer me formularin e dekriminalizimit. Ne kemi zbuluar që në CV-në e tij, zoti Gorrea deklaron që ka qenë në Suedi, ku ka qëndruar disa vite dhe ka marrë dhe nënshtetësinë suedeze, nënshtetësi që e ka përdorur dhe në Shqipëri për të bërë këto shitblerjet e kompanive, pra që është përsëri e çuditshme.

Flavio Qarri: Pra si biznesmen është suedez ky…

Julian Hoxhaj: Si biznesmen është suedez, pastaj si kryebashkiak është nga Divjaka. Dhe ajo që është e rëndësishme është që në vitin '94-'98, Josif Gorrea deklaron që ka qenë në Suedi, në CV. Po njëkohësisht deklaron që ka themeluar dhe kompaninë ‘Lisar Seedling’, që në atë periudhë ka pasur emër tjetër, ‘Burkas Seedling’, dhe ka filluar aktivitetin në prodhimin e fidanëve. Ndërkohë, tek formulari i dekriminalizimit, që e ka dorëzuar në vitin 2023, thotë që ka qenë në Suedi në vitet 2004-2008. Tani, është një diferencë 10-vjeçare dhe unë nuk besoj që kryetari i bashkisë së Divjakës e ka harruar se kur ka qenë në Suedi, kur ka jetuar, kur ka marrë pasaportën. Madje ka dhënë dhe mësim atje. Pra ka pasur dhe aktivitete. Ka dhënë gjuhë shqipe, ka dhënë gjuhë angleze sepse në këto fusha është diplomuar dhe pastaj është bërë biznesmen. Por këtu i mbetet pikërisht detyrë organeve përgjegjëse të hetojnë. Gjithashtu, ne kemi zbuluar një vendim të një gjykate, Gjykatës Administrative, që e detyron Josif Gorrenë të paguajë një gjobë jo të vogël për mosdeklarimin, për fshehjen e të ardhurave.

Flavio Qarri: Pra praktikisht Josif Gorrea e ka marrë peng Divjakën.

Julian Hoxhaj: E ka marrë peng. Praktikisht. Pra, ai thotë që unë jam pronar i x sipërfaqe toke, nga ana tjetër nuk deklaron që ka as banesë, as po themi prona të tjera. Pra ka vetëm disa tokë, nuk e dimë ku jeton….