Rasti ‘Bonucci’: pse ish-mbrojtësi nuk dha dorëheqjen pas dështimit të Italisë
Pas dështimit të rëndë të Italisë në arenën botërore, shumë figura të rëndësishme të futbollit italian dhanë dorëheqjen, mes tyre Gabriele Gravina, Gennaro Gattuso dhe Gianluigi Buffon. Megjithatë, një emër i njohur si Leonardo Bonucci ka zgjedhur të qëndrojë, duke ngritur pikëpyetje te tifozët.
Arsyeja e këtij vendimi lidhet me rolin aktual të Bonucci-t në FIGC, i cili nuk është pjesë e strukturave drejtuese apo stafit kryesor teknik. Ish-mbrojtësi është i përfshirë në një program formues brenda “Club Italia”, të nisur në tetor 2024, ku ai kontribuon në nivele të ndryshme të përfaqësueseve, nga ekipet U-20 deri te skuadra e parë, sipas nevojave të federatës.
Qëndrimi i tij lidhet drejtpërdrejt me procesin e formimit profesional, pasi Bonucci është duke ndjekur programin për të marrë licencën UEFA Pro në qendrën e njohur të Coverciano. Për këtë arsye, ai duhet të plotësojë një numër të caktuar orësh praktike, çka e bën pozicionin e tij të pavarur nga ndryshimet e mëdha në drejtimin e federatës.
Me një kontratë që përfundon më 30 qershor dhe me një ndikim minimal financiar për federatën, situata e Bonuccit nuk i nënshtrohet valës së dorëheqjeve që përfshiu drejtuesit kryesorë. Vendimi për të ardhmen e tij do të merret vetëm pasi të përfundojë këtë rrugëtim formues, duke lënë të hapur mundësinë për një rol më të rëndësishëm në strukturat teknike të futbollit italian.