Milani synon goditjen ‘Lewandowski’, duel me Juventusin për ‘bomberin’ polak

Milani po mendon për një tjetër transferim të bujshëm në merkato, duke synuar afrimin e Robert Lewandowski-t. Pas operacionit që solli në “San Siro” Luka Modrić-in, kuqezinjtë duan të përsërisin të njëjtën strategji, duke marrë një tjetër kampion me eksperiencë, këtë herë në repartin ofensiv.

Sulmuesi i Barcelonës pritet të largohet në fund të sezonit si lojtar i lirë, çka e bën atë një objektiv shumë tërheqës për klubet europiane. Milani është futur në garë, por përballë ka rivalin e përhershëm, Juventusin, që gjithashtu synon një goditje me parametër zero.

Ideja e të dy klubeve është e qartë: të investojnë në paga të larta për një lojtar të kalibrit të Lewandowski-t, duke kursyer në koston e transferimit. Sulmuesi polak, i lindur në vitin 1988, ka realizuar plot 565 gola në karrierë dhe mbetet një nga sulmuesit më të rrezikshëm në futbollin europian.

Sipas raportimeve, largimi nga Barcelona duket i pashmangshëm, ndërsa përfaqësuesit e lojtarit po punojnë për të përcaktuar të ardhmen e tij. Juventusi ka nisur lëvizjet prej muajsh, ndërsa tani edhe Milani është futur fuqishëm në garë.

Mbetet për t’u parë vendimi i vetë Lewandowskit, i cili mund të preferojë kampionate më të forta, por nuk përjashtohet mundësia që, ashtu si Modrić, të zgjedhë Serinë A për të vazhduar të bëjë diferencën, pavarësisht moshës.

Edhe këtë sezon në La Liga ai ka treguar se mbetet vendimtar, duke shënuar 12 gola në kampionat, pavarësisht minutave të kufizuara. Për Milanin apo Juventusin, afrimi i tij do të ishte një përforcim i madh dhe një sinjal i fortë për rikthimin e prestigjit të futbollit italian.