‘Regres në drejtësi dhe lidhje të ngushta me Rusinë’ - BE gati të shkurtojë 1.5 mld euro fonde për Serbinë

Serbia përballet me humbjen e deri në 1.5 miliardë eurove nga fondet e BE-së, ndërsa Komisioni Europian po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së procesit të reformave për shkak të prapambetjes demokratike dhe lidhjeve të ngushta të vendit me Rusinë.

Kombi ballkanik nuk është anëtar i BE-së, por pasi ka nisur bisedimet për t'u anëtarësuar në vitin 2014, ai është i kualifikuar për fonde dhe grante për ta ndihmuar të çojë përpara reformat ligjore. Një vendim për të pezulluar pagesat do ta ndërlikonte më tej të ashtuquajturin proces zgjerimi të BE-së, me vende si Ukraina dhe Mali i Zi që garojnë për t'u anëtarësuar, por vende me ndikim si Franca kërkojnë kujdes.

“Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi”, tha për POLITICO-n Komisionerja Evropiane e Zgjerimit Marta Kos. “Nga ligjet që minojnë pavarësinë e gjyqësorit te shtypja e protestuesve dhe ndërhyrja e përsëritur në median e pavarur.”

Komisioni po vlerëson nëse vendi ende i plotëson kushtet për “pagesa sipas instrumenteve financiare të BE-së”, tha Kos.

Një presion brenda Komisionit është shtuar javët e fundit për të mbajtur paratë, thanë katër zyrtarë të BE-së që punojnë me vendet në zgjerim, të cilëve iu dha anonimiteti për të folur. BE-ja ka kritikuar publikisht reformat gjyqësore të nxitura nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, qeveria e të cilit është përballur me protesta të gjera.

Danijel Apostoloviç, ambasadori i Serbisë në BE dhe kryenegociatori me bllokun, i tha POLITICO-s se ishte “i bindur se nuk do të arrijmë në atë pikë” të pezullimit të financimit dhe “nuk po heqim dorë nga anëtarësimi i plotë në BE”.

Beogradi mbeti i angazhuar në diskutime intensive me Komisionin, tha Apostoloviç.

Një paketë ligjesh për të ristrukturuar gjykatat dhe për të ndryshuar mënyrën e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ishte një “hap serioz prapa” për Serbinë, paralajmëroi Kos kur u njoftuan.

Komisioni i Venecias, një organ këshillimor ligjor në Këshillin e Evropës, do të japë një mendim ekspertize mbi ndryshimet kontroverse ligjore të Serbisë në fund të muajit.

Ky mendim mund të jetë shtysa që Komisioni të ngrijë fondet për Serbinë, sinjalizuan dy nga zyrtarët e BE-së me të cilët foli POLITICO. Kos tha se ajo do të kërkonte që Serbia “të përputhë ligjet e saj gjyqësore me rekomandimet e Komisionit të Venedikut”.

Beogradi ka “komunikuar qartë” se do t’i ndjekë rekomandimet e Komisionit të Venedikut “sapo ato të merren”, tha Apostoloviç.

Litar i tendosur rus

BE-ja është ofruesi më i madh i mbështetjes financiare për Serbinë dhe ka ndarë më shumë se 586 milionë euro në grante të pakthyeshme nga viti 2021 deri në vitin 2024. Ajo ka vënë në dispozicion deri në 1.5 miliardë euro më shumë, të kushtëzuara nga reformat. Sipas qeverisë serbe, vendi ka marrë më shumë se 7 miliardë euro në fonde dhe investime nga BE-ja që nga viti 2000.

Por Serbia ka ecur prej kohësh në një litar të pasigurt në marrëdhëniet e saj me BE-në, duke synuar lidhje më të ngushta me Moskën në të njëjtën kohë, ndërsa merr para nga Brukseli.

Sofija Todorović, drejtoreshë e OJQ-së ballkanike për të drejtat e njeriut YIHR, i tha POLITICO-s se liria e medias dhe sundimi i ligjit në Serbi, ishin në “mbështetje jetike” për shkak të presionit të qeverisë ndaj gazetarëve, dhe i bëri thirrje Komisionit të ndërhyjë “para se errësira pothuajse e plotë të mbretërojë në Serbi”.

Durimi i BE-së me Beogradin është shteruar në muajt e fundit, me një raport të ashpër mbi progresin e zgjerimit të vendit nëntorin e kaluar, që paralajmëronte për kthim prapa dhe "një narrativë anti-BE" në "nivelet më të larta" të politikës serbe.

Tensionet u përshkallëzuan më tej në dhjetor kur Presidenti Vuçiç shpërfilli një samit BE-Ballkani Perëndimor. Vuçiç, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën gjatë gjithë luftës së saj me Ukrainën, u ankua për ritmin e ngadaltë të negociatave për anëtarësim në BE.

Në një artikull të përbashkët me homologun e tij shqiptar në shkurt, ai tha se do të preferonte të ndiqte një përafrim më të ngushtë ekonomik me BE-në, siç është bashkimi me tregun e vetëm dhe zonën e udhëtimit të lirë, sesa anëtarësimi i plotë politik. Kos i hodhi poshtë këto propozime, duke argumentuar se reforma të rëndësishme do të duheshin ende të zbatoheshin që kjo të ndodhte.

Pastaj, muajin e kaluar, Serbia u kritikua ashpër për shkak të raportimeve për dhunë dhe parregullsi gjatë zgjedhjeve lokale, së bashku me një bastisje policore në një universitet ku qindra studentë u përleshën me forcat e rendit.

Një zyrtar i BE-së tha se ngjarjet e fundit, së bashku me bashkëpunimin e vazhdueshëm të Serbisë me Moskën, kishin provuar të ishin një pikë kthese për marrëdhëniet e Brukselit me Beogradin dhe kishin shkaktuar një ashpërsim të qëndrimit të ekzekutivit të BE-së.

“Si vend kandidat, ne gjithashtu presim që Serbia të qëndrojë me ne në politikën e jashtme dhe të përafrohet më ngushtë me qëndrimet tona”, tha Kos për POLITICO, pa përmendur në mënyrë të qartë Rusinë./ Politico.