Xi takim me udhëheqësen e opozitës së Tajvanit: Kina s’do ta tolerojë pavarësinë e ishullit!

Kina "absolutisht nuk do të tolerojë" pavarësinë e Tajvanit, i cili është fajtori kryesor në minimin e paqes në Ngushticën e Tajvanit, i tha Presidenti Xi Jinping udhëheqëses së opozitës së ishullit të premten, duke bërë thirrje për përpjekje për të çuar përpara "ribashkimin".

Cheng Li-wun, kryetare e partisë më të madhe opozitare të Tajvanit, Kuomintang (KMT), ndodhet në Kinë, në atë që ajo e ka quajtur një mision paqeje për të ulur tensionet, në një kohë kur Pekini ka rritur presionin ushtarak kundër ishullit që e pretendon si territor të tij.

Në takimin në Sallën e Madhe të Popullit, Xi i tha Cheng-ut se bota e sotme nuk është plotësisht në paqe dhe paqja është e çmuar.

"Bashkatdhetarët në të dyja anët e ngushticës janë të gjithë kinezë - njerëz të një familjeje që duan paqe, zhvillim, shkëmbim dhe bashkëpunim", tha ai, në komentet e transmetuara nga stacionet televizive të Tajvanit.

Të dyja anët e ngushticës i përkasin "një Kine të vetme", shtoi Xi, sipas një njoftimi të veçantë të medias shtetërore.

"Kur familja është harmonike, të gjitha gjërat do të përparojnë", tha ai. "Pavarësia e Tajvanit është fajtorja kryesore në minimin e paqes në Ngushticën e Tajvanit - ne absolutisht nuk do ta tolerojmë ose miratojmë atë."

Xi përmendi gjithashtu temën e ndërlikuar të bashkimit midis Kinës dhe Tajvanit, i cili ka qenë prej kohësh qëllimi i Pekinit, por që qeveria e Tajvanit e refuzon.

"KMT dhe Partia Komuniste duhet të konsolidojnë besimin e ndërsjellë politik, të ruajnë bashkëveprimin pozitiv, të bashkojnë bashkatdhetarët në të dyja anët e ngushticës dhe të bashkohen për të krijuar një të ardhme të ndritur të ribashkimit të atdheut dhe ripërtëritjes kombëtare", tha ai.

Kina refuzon të flasë me Presidentin e Tajvanit Lai Ching-te, duke thënë se ai është një "separatist". Administrata e Lai i ka bërë thirrje Cheng-ut, t'i thotë Kinës të ndalojë kërcënimet e saj dhe thotë se Pekini duhet të bashkëpunojë me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në Taipei.

"TABELË SHAHU"

Kuomint-i dikur sundonte të gjithë Kinën, derisa qeveria e Republikës së Kinës që ai drejtonte iku në Tajvan në vitin 1949, pasi humbi një luftë civile me komunistët e Mao Ce Dunit, të cilët themeluan Republikën Popullore të Kinës.

Asnjë traktat paqeje apo armëpushim nuk është nënshkruar ndonjëherë, dhe deri më sot asnjëra qeveri nuk e njeh zyrtarisht tjetrën.

Cheng i tha Xi-së se marrëdhëniet e ndërsjella dhe përfituese, janë ato që publiku i të dyja palëve dëshiron dhe se ndërveprimet dhe shkëmbimet duhet të jenë reciproke.

"Unë, Li-wun, shpresoj sinqerisht që një ditë në të ardhmen, do të kem mundësinë të jem mikpritëse dhe të mirëpres Sekretarin e Përgjithshëm Xi dhe të gjithë ju këtu të pranishëm në Tajvan", shtoi ajo, duke përdorur titullin e Xi si kreu i partisë komuniste.

Cheng tha se shpresonte që nëpërmjet përpjekjeve të të dyja palëve, Ngushtica e Tajvanit nuk do të jetë më një pikë qendrore e konfliktit të mundshëm dhe sigurisht nuk do të bëhet një "tabelë shahu për ndërhyrjen e forcave të jashtme".

Ajo shtoi se të dyja anët e ngushticës duhet të planifikojnë dhe ndërtojnë më tej mekanizma të institucionalizuar dhe të qëndrueshëm për dialog dhe bashkëpunim.

SHBA-të janë mbështetësi dhe furnizuesi më i rëndësishëm ndërkombëtar i Tajvanit me armë, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve diplomatike zyrtare. Pekini i ka kërkuar vazhdimisht Uashingtonit të ndalojë armatosjen e Tajpeit. SHBA-të kanë mbështetur planet e qeverisë së Tajvanit për të rritur shpenzimet e mbrojtjes./ Reuters.