Chivu mbron Bastonin dhe rrit ambiciet: Duam titullin dhe Kupën e Italisë
Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka reaguar pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, duke theksuar se skuadra e tij tashmë është e fokusuar plotësisht te objektivat e mbetura në sezon. Tekniku rumun deklaroi se ambicia e zikaltërve mbetet maksimale, me synimin për të fituar si kampionatin, ashtu edhe Kupën e Italisë.
“Të jesh trajner i Interit do të thotë të kesh objektiva të mëdha. Jemi në dy muajt e fundit të sezonit dhe kemi ende mundësi konkrete për të arritur suksese. Kemi detyrimin të besojmë se mund të fitojmë gjithçka që ka mbetur”, u shpreh Chivu, duke treguar vendosmëri për fundin e sezonit.
Ai preku edhe polemikat e fundit që kanë shoqëruar ekipin, duke sqaruar se nuk ka ndërmend të ndryshojë qasjen e tij: “Parimet e mia shkojnë përtej asaj që thuhet nga të tjerët. Nuk kam kërkuar kurrë të ndryshoj dhe nuk e ndiej të nevojshme të krijoj konflikte apo deklarata të forta”.
Në fund, trajneri ndaloi te mbrojtësi Alessandro Bastoni, i cili është kritikuar shumë pas episodit në ndeshjen ndaj Juventusi. Chivu ishte i prerë në mbrojtjen e lojtarit të tij: “Bastoni nuk ka nevojë për rikuperim psikologjik. Përkundrazi, janë ata që e kanë sulmuar pa masë që duhet të reflektojnë. Është krijuar një lloj gjyqi publik ndaj tij që nuk është i drejtë”.
Deklaratat e Chivu tregojnë qartë se Interi synon të mbyllë sezonin me trofe, duke lënë pas zhgënjimin europian dhe duke u përqendruar te suksesi në Itali.