Prishjet e banesave/ Gjoni takon familjet e prekura: S’mund të ketë zhvillim duke lënë qytetarët pa strehë
Deputeti Gjin Gjoni, së bashku me kryetaren e Partisë Demokratike në Lezhë, Donika Ndoj, zhvilluan një takim me 12 familje që jetojnë në zonën pas katedrales së qytetit, ku Bashkia ka nisur prishjen e banesave pa siguruar më parë një zgjidhje për strehimin e tyre.
Gjatë takimit, banorët shprehën shqetësimin për kushtet e vështira në të cilat ndodhen, duke theksuar se bonusi i qirasë i ofruar është i pamjaftueshëm dhe nuk përputhet me realitetin ekonomik dhe çmimet aktuale të tregut. Sipas tyre, kjo situatë i lë ata të pambrojtur dhe pa një alternativë të sigurt strehimi.
Familjet theksuan se nuk janë kundër zhvillimit të qytetit, por kundër padrejtësisë, duke nënvizuar se zhvillimi nuk mund të vijë në kurriz të qytetarëve dhe duke i lënë ata pa strehë.
Deputeti Gjoni e cilësoi situatën si pasojë të keqmenaxhimit dhe moszbatimit të ligjit nga ana e institucioneve vendore. Ai ngriti shqetësimin se në territorin e Bashkisë së Lezhës po ndërtohet pa kriter, ndërkohë që nuk po zbatohet detyrimi ligjor për sigurimin e 3% të banesave sociale.
Në përfundim, Gjoni theksoi se Partia Demokratike dhe ai si deputet i zonës do ta ndjekin këtë çështje deri në fund, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje konkrete për familjet e prekura.