A do të rikthehet Klopp te Liverpooli?

Spekulimet për një rikthim të Jürgen Klopp te Liverpool vazhdojnë të qarkullojnë, por ish-mesfushori i Tottenham, Chris Waddle, ka dhënë mendimin e tij mbi këtë çështje.

Klopp u largua nga Liverpooli në maj të vitit 2024 pas një periudhe të jashtëzakonshme, duke lënë pas një trashëgimi të madhe në “Anfield”.

Ai fitoi gjithçka me “The Reds”, përfshirë titullin e shumëpritur të kampionit në vitin 2020 dhe Champions League në vitin 2019.

Pas largimit, tekniku gjerman mori një rol të ri si Drejtor i Futbollit Global te Red Bull, por emri i tij vazhdon të lidhet me një rikthim të mundshëm te Liverpooli, sidomos për shkak të presionit në rritje mbi trajnerin aktual Arne Slot.

Në një intervistë për “Fruity King”, Waddle u shpreh skeptik për këtë mundësi: “Nuk e di nëse Klopp dëshiron të kthehet te Liverpooli. Ai kaloi një kohë fantastike atje. Është një trajner i madh dhe askush nuk mund të krahasohet me CV-në që ai krijoi te Liverpooli. Ishte e jashtëzakonshme”.

Sipas tij, Klopp mund të ndjejë se ka arritur gjithçka të mundshme me klubin anglez, çka e bën një rikthim më pak të mundshëm në këtë fazë.

Megjithatë, diskutimet vazhdojnë, ndërsa tifozët e Liverpoolit mbajnë ende shpresë për një rikthim të trajnerit që u dha një nga periudhat më të lavdishme në historinë e klubit.