Gjuriç në OKB: Serbia zgjat dorën e bashkëpunimit me shqiptarët, ngre shqetësime për serbët në Kosovë
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, gjatë fjalës së tij në Këshilli i Sigurimit i OKB-së për çështjen e Kosovës, deklaroi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe bashkëpunimit me shqiptarët.
Ai theksoi se serbët dhe shqiptarët nuk janë popuj të destinuar për konflikt, duke shtuar se Beogradi zyrtar zgjedh dialogun përballë akuzave. ‘Në vend të ofendimeve dhe akuzave, ne zgjasim dorën e bashkëpunimit me popullin shqiptar. Nuk jemi popuj të destinuar për konflikt’, u shpreh Gjuriç.
Në të njëjtën kohë, diplomati serb ngriti shqetësime për situatën e komunitetit serb në Kosovë, duke pretenduar se ata përballen me presione të vazhdueshme dhe incidente me bazë etnike. Sipas tij, gjatë vitit 2025 janë regjistruar mbi 100 raste të tilla.
Gjuriq deklaroi gjithashtu se serbët në Kosovë shpesh trajtohen si ‘të tjerët’, ndërsa përmendi arrestime, presione administrative dhe incidente që, sipas tij, ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit. Ai përmendi edhe pretendime për sulme ndaj objekteve të Kisha Ortodokse Serbe, pa dhënë detaje specifike.
Në fjalën e tij, ai theksoi se Serbia e konsideron veten pjesë të zgjidhjes dhe jo të problemit, duke kërkuar që institucionet ndërkombëtare të kenë një rol më aktiv në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.
Në fund, Gjuriç ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si ‘eksod të heshtur’ të serbëve nga Kosova, duke pretenduar se rreth 20% e tyre e kanë lënë vendin, dhe bëri thirrje për ndërhyrje për të ndalur këtë fenomen.