Juventusi blindon Spallettin, rinovimi drejt zyrtarizimit brenda javës

Juventusi është shumë pranë zyrtarizimit të rinovimit të kontratës me trajnerin Luciano Spalletti, duke konfirmuar besimin e plotë ndaj projektit aktual sportiv.

Sipas raportimeve nga “La Gazzetta dello Sport” dhe “Tuttosport”, marrëveshja konsiderohet tashmë e mbyllur dhe pritet të bëhet publike brenda pak ditësh, madje disa burime flasin për një njoftim zyrtar brenda 24 orëve ose më së voni të premten.

Kontrata e re do të jetë dyvjeçare, duke e lidhur Spallettin me klubin deri në verën e vitit 2028.

Trajneri italian, i cili iu bashkua Juventusit në tetor me një marrëveshje afatshkurtër deri në fund të sezonit 2025-2026, ka bindur drejtuesit me rezultatet dhe stabilitetin e sjellë në skuadër.

Sa i përket aspektit financiar, Spalletti pritet të përfitojë një pagë që varion nga 5 deri në 6 milionë euro në sezon, në varësi të bonuseve të përfshira në kontratë.

Gjithashtu, ai do të përfitojë rreth 3 milionë euro për periudhën nga tetori deri në fund të sezonit aktual.

Vendimi për rinovimin duket se është marrë pas fitores bindëse 3-0 ndaj Sassuolo më 6 janar, një rezultat që forcoi pozitat e trajnerit.

Presidenti John Elkann zhvilloi një takim vendimtar me Spallettin menjëherë pas asaj ndeshjeje në Emilia-Romagna.

Forma e mirë e Juventusit, me një seri prej shtatë ndeshjesh pa humbje në atë periudhë, ka qenë një tjetër faktor kyç në këtë vendim.

Ndërkohë, klubi po punon edhe për të ardhmen e skuadrës, me rinovimet e mundshme të kontratave për mesfushorët Weston McKennie dhe Manuel Locatelli që janë në axhendë.

Juventusi duket i vendosur të ndërtojë vazhdimësinë me Spallettin në stol, duke synuar rikthimin në majat e futbollit italian dhe evropian.